Paraqitja
Nora e Kelmendit, Tringa e Grudës, Nora e Hotit, dhe Dranja e Kelmendit përfaqësojnë një fenomen të veçantë në historinë e Lekëve [1] ; ; lirinë vepruese të gruas përballë agresionit të jashtëm. Simbolikisht, tregon M. Sirdani, kjo lirí i pohohej femënës Leke në moshën 13 vjeçe kur asaj i jepej kurtjeli, një thikë dytehëshe, me anë të të cilit asaj i kërkohej me ruajt nderin. Heroizmi i grave Leke ishte produkt organik i një bashkësie që vlersonte paprekshmëninë e individit, ku autoriteti ligjor buronte prej drejtsisë, jo hierarkisë, dhe ku nënshtrimi i plotë e femënës nuk kishte as baza ligjore as baza tradicionale.
Sipas historianëve, rreth vitit 1640, Kelmendi pati bamë një luftë për jetë a vdekje kundër otomanëve. Në këtë përballje, numri i kelmendasve mund të arrinte në 1,200 luftëtarë. Ka mundsí që ata mund të ndaheshin në 900 mashkuj e 300 femëna. Në varsí prej historianëve, numëri i ushtarëve otomanë jepet diku në mes 12,000 e 30,000 ushtarëve e bashibazukëve, në përbamjen e të cilëve kishte ballkanas të kthyem në muslimanë, laramanë, kristianë, si edhe ushtarë prej Lindjes së Mesëme, Azisë, e Afrikës.
Zani i trimnisë së Kelmendasve dhe veçsisht i adoleshentes që vrau pashën boshnjak u përhap në të gjith Ballkanin dhe pastaj arriti në Europë. Informacioni rreth kësaj beteje u përjetsua në shkrimet e historianëve të Europës, relacioneve që priftënit i dërgonin Vatikanit, dhe në legjendave të rapsodëve Lekë.
Pëmbledhja Letrare
Tekstet historike që u patën shkruom në shekullin e Norës mund të ndahen në dý kategorí, Relacione, shkruom prej priftënish që e kishin për detyrë t’i reportonin Vatikanit rreth gjenjes së katolikëve shqiptarë, dhe trajtime historike, shkruom prej historianësh a shkollarësh. Ka mundsí që disa prej këtyne teksteve të jenë shkruom dekada pas luftës së Kelmendit, prandaj ato mund të jenë ndikuom edhe prej legjendave që kishin marrun formë rreth Norës dhe fisit të Kelmendit.
Në shekullin e njëzetë, Marin Sirdani pati shkruom një artikull të zgjanuom rreth Norës dhe Luftës së Kelmendit, ku ai citon shumicën e historianëve të herëshëm. Me komplementua burimet historike Marini pati intervistoupm dý vetë, të cilët, ai argumenton, u patën zgjedhun për thellsinë e ditunisë së tyne.
Një tekst mâ i kompletuom nevojitet sepse në shkrimin e Marinit mungojnë citimet rreth relacioneve dhe, deri më sot, mungon një monografi e mirëfilltë shkencore qoftë për figurën e Norës, qoftë për Luftën e Kelmendit të vitit 1640. Por, këtu nevojitet me qartsua përkufizimin e termit ‘monografí’. Monografia nuk âsht thjesht një vëllim i shkruom rreth një subjekti, por një traktat i specializuom që mbështetet mbë një analizë kritike të shëndoshë dhe jep referenca burimore të verifikueshme. Për studiuesit, vlera e monografisë qëndron pikërisht te citimi i autoriteteve pararendëse—siç shihet, për shembull, në veprën e Gjergj Nikprëlës rreth luftës së Mbishkodrës. Një tekst që pretendon statusin e monografisë pa ofrua asnjë citim apo burim arkivor, mbetet thjesht një rrëfim subjektiv; sepse në botën e shkencës, nuk âsht titulli ai që përcakton natyrën e veprës, por rigoroziteti i metodologjisë së përdorun.
Ky deficit metodologjik mbetet trashëgimí e modelit monist të kërkimit, ku historia nuk trajtohej si shkenca e zbulimit të fakteve, por si mjet i propagandës shtetnore; dhe ku legjendat shiheshin si prapambetje shoqnore. Në atë sistem, autori nuk kishte nevojë për citime, sepse 'e vërteta' ishte e diktuame prej nâlt.
Ky shkrim i thjeshtë nuk i plotson as mangsitë rreth Norës as rreth Luftës së vitit 1640, por ndihmon në sjelljen e narrativit të kësaj adoleshenteje në ravë të mbarë; ku historia dhe legjendat komplementojnë dhe kontrollojnë njëna-tjetrën.
Mungojnë edhe kerkimet arkeologjike rreth Qytezës së Kelmendit në Nikçin e vitit 1640, si edhe artifaktet e Norës, p.sh., kurtjeli ose shpata me të cilën ajo vrau pashën, gunleta (xhubletë vajzash) e Norës, dhe ndonjë artifakt tjetër.
Legjendat janë burimi tjetër rreth Norës dhe Luftës së Kelmendit të vitit 1640. Versioni i tij mâ i pranuom gjindet në lirikat e rapsodëve Lekë. Ndryshe prej shkrimeve historike, këto lirika përmbushnin nevojat shpirtnore të bashksisë që i krijoi e zhvilloi ato. Fakti që këto lirika vlersohen edhe sot tregon që, së paku ndër Lekë, ato kanë vlera të thella shpirtnore.
Tematikisht, kjo përmbledhje letrare mund të ndahet në dý kategorí: 1) në burime që e shohin Norën si një luftëtare shum të aftë, e cila merrte pjesë në sulme kundër ushtrisë otomane dhe në plaçkitjen e karavaneve otomane, si edhe dhe plaçkitjen e tregtarëve serbë, boshnjakë, dhe shqiptarë, dhe 2) si një vajzë të cilën Vuçi pasha cakonte ta merrte për grua; me dëshirë a me dhunë.
Në të dyja rrefimet, Nora paraqitet si një adoleshente me bukurí të mahnitëshme. Marini shkruan që ajo njihej si Nora e Bukur. (Megjithatë, ai e titullon shkrimin e tij Judita e Kelmendit!).
Analiza e figurës së Norës shtrihet në dy rrafshe: së pari, në pragmatizmin e shkathtësisë luftarake dhe, së dyti, në dimensionin etik të mbrojtjes së nderit. Në të dyja dimensionet, Nora shfaqet si personifikim i mbijetesës së bashkësisë, duke asgjësua forcën që kërcënonte si ekzistencën fizike ashtu edhe esencën shpirtërore të Kelmendit. Përmes aktit të saj, ajo i përcolli shoqënisë shqiptare diktatin e pashmangshëm të luftëtarit: se mund të arrijmë në një pikë ku dhuna duhet të përballet me dhunë dhe ku integriteti i njeriut peshon më randë se vetë jeta.
Legjendat (Kujtesa Kolektive)
Përqendrohen te bukuria, fisniknia, frymëzimet etike, dhe aktet sublime për hir të bashksisë. I shërbejnë nevojës psikologjike të bashkësisë për simbole jo vetëm të pathyeshëme por edhe që janë përtej zotnimeve të anmikut; sepse egzistojnë në shpirtin e popullit.
Historia (Metoda Shkencore)
Përqëndrohet te faktet historike të regjistruome prej autorësh të ndryshëm. Në lidhje me Norën ato jepen prej priftënve e historianëve të kohës.
Metodologjia
Në këtë punim, historia trajtohet si një konstrukt organik i bashkësisë; një gërshetim i "bamave" (fakteve) dhe vlerave që kjo bashkësi u vesh atyne fakteve përmes legjendave. Kelmendasit nuk e ndërtuan identitetin e tyne mbi fantazí, por mbë një politikë të palëkundun pavarësie, ku akti luftarak dhe narrativi etik ishin të pandashëm.
Kjo përqasje e dyfishtë qet në lirishtë Metodën Sirdanike: një qasje eklektike ku historiografia, arkeologjia, dhe dëshmia gjuhësore ballafaqohen me legjendat e ruajtuna në kujtesën e popullit. Në këtë proces, secili burim shërben si mekanizëm kontrolli për tjetrin, dhe historiografia a legjendat shërbejnë si balancuese të njëna-tjetrës.
Burimet e këtij studimi mbështeten në dokumentet e shekujve XVII, XVIII dhe XX. Një randësi e veçantë i âsht kushtuom kërkimit të Marin Sirdanit, ku përveç gjetjeve historike përfshihen edhe fragmentet e intervistave që mbijetuan pas asgjësimit të dhunshëm të dorëshkrimeve të tij (rreth 2,000 faqe) prej regjimit komunist. Ky studim cakon me rindërtua ato pjesë të mozaikut që historiografia zyrtare shpesh i ka lanë në harresë.
Metodat
Me cak me ofrua një këndvështrim asnjanjës që nuk hijezohet ekskluzivisht as prej historiografisë zyrtare, as prej romantizmit të legjendave, ky punim mbështetet në analizën krahasuese të dy përspektiveve: dokumenteve shkencore të shekujve të fundit dhe korpusit të legjendave të ruajtuna në lirikat e lahutarëve. Qëllimi i këtij ballafaqimi âsht nxjerrja e një narrativi mâ të plotë dhe mâ të balancuom. Kjo metodë cakon me integrua nevojat informative të akademisë me nevojat psikologjike të bashkësisë, duke pranua që e vërteta historike e një populli nuk gjendet vetëm në arkiva, por edhe në mënyrën se si ai popull zgjedhë me kujtua vetvete.
Kontrolli dhe Balanca
Legjendat krijohen me përmbushë nevojat psikologjike të një bashksie. Ato dëshmojnë për rreziqet që kërcënojnë një bashksí dhe për heronjtë që përballen me këto rreziqe. Njëni prej rreziqeve të kohës së Errsinës Ballkanike ishte përdhunimi i femënave; femënat e grabituna shiteshin në kryeqytetin otoman edhe në shekullin e njëzetë. Për ata që vlersonin nderin dhe lirinë, ky rrezik i përherëshëm kërkonte heronj të gatëshëm me rrezikua jetën e tyne. Por, ndryshe prej shumicës së kulturave botnore, ku âsht i dashuni i femënes ai që e mbron atë prej përbindëshit fizik a psikologjik, në legjendën pothuaj 400 vjeçare të Norës së Kelmendit ishte vetë femëna ajo që mbrojti vetveten.
Legjendat
Besohet që Nora vinte prej parisë së Kelmendit sepse i jati i saj, Voku, ishte Vojvoda i Parë i Selcës. Nuk dihet prej kah vinte e ama e saj, por thohet që ajo quhej Hanë. Nora kishte pasun edhe një vëlla mâ të madh, por i cili kishte vdekun në moshën pes vjeç.
Kur Hana ndjeu që ata do të shtoheshin me një fëmijë, ajo i tregoi Vokut. Thohet që Hana e Voku iu lutën Orës që Ajo t’u jepte atyne një djalë; me gjasë prej ligështimit që ata ndjenin për humbjen e djalit të tyne të parë. Ka mundsí që Voku kishte edhe arsye të tjera me iu lutë Orës. Ai dëshironte që i biri i tij të bâhej luftëtar dhe të trashëgonte titullin Vojvodë.
Në vend të djalit, Ora u dhantoi Vokut e Hanës një vajzë, Norën. Ashtu si në dramën e Sofokliut, edhe në rrëfimin e Norës së Kelmendit thohet që, në një buznatë, Voku e la foshnjen në mal; ushqim për bishat. Por një emtë e Norës, ndoshta duke e ditë qëllimin e Vokut, e mori mbesën e saj dhe e rriti atë si të vetën.
Prej kësaj legjende mund të inferojmë që Nora ishte një fëmijë i padëshiruom. Ky koncept âsht pagan, jo monoteist. Edhe lanja e fëmijës në mal forcon asertën që kelmendasit e asaj kohe ende praktikonin paganizmin; sëpaku pjesnisht. Kështu, kelmendasit shfaqnin trí aspekte pagane: 1) lutjet ndaj Orës, 2) përzgjedhjen e fëmijëve gjenetikisht të shëndetëshëm ose të dëshirueshëm, dhe 3) siç do të shihet te Relacionet, ata praktikonin edhe prétimin mbë karavanet otomane, serbe, boshnjake, e shqiptare; gjithmonë duke sulmua ekskluzivisht të pasunit.
Kur Nora ishte në moshë adoleshente, e rritun në një shoqní ku bashkjetonin paganizmi e katolicizmi dhe ku mbretnonin liria e ligji tradicional, Vuçi Pasha, sunduesi i ushtrisë otomane të zonës, u ofroi kelmendasve një dilemë: Më jepni Norën për grua, ose pranoni djegien e Kelmendit. Nuk dihet se ku e pá pasha Norën, por mund të argumentohet që bukuria e saj ishte kaq e mahnitëshme saqë ate e njihnin të gjithë. Ciladoqoftë e vërteta, legjendat e gjejnë shkakun e luftës kelmend-otoman aty ku grekët patën gjetun shkakun e Luftës së Trojës; te bukuria e rrallë e një femëne. Por, prej kandvështrimit të Norës, oferta qëi bâhej asaj ishte jashtzakonisht brutale. Asaj i kërkohej që jo vetëm të martohej me pashën, por edhe të pranonte sundin e pushtuesit, fenë islame, dhe ligjin e Sheriatit.
Duke kërkua të vërtetën e legjendës sa mâ thellë, Marini e pati komplementuom shkrimin e tij edhe me dý intervista, njënën prej Prel Tom Cubit, Vojvodë i Selcës, dhe tjetrën prej Gjet Alezit, burrë në shenj prej Boget (Kontribut, 456, Shenimi 767). Këto intervista, të integruome në shkrimin e Sirdanit, pohojnë që ndikimi i ngjarjes së Norës peshonte randë edhe ndër Lekët e fillimit të shekullit të njëzetë. Në fakt, ishte në atë kohë që Dranja e Kelmendit pati vramë një cub [2] që e pati përdhunuom atë.
Legjendat rreth Norës dallohen prej historiografisë edhe në një pikë tjetër. Sipas legjendave Nora e mbyti pashën me anë të kurtjelit të saj, dhe ishte vetëm për vetëm me të. Kurse, sipas historisë, ajo, ndoshta në krye të 300 grave kelmendase që mund t’i kishin dalun ushtrisë otomane përmbrapa, e zuni pashën në tendën e tij ushtarake dhe ia preu atij kryet me shpatë. Kjo mund të duket si një detaje e vogël, por ajo tregon dý pikvështrime të ndryshëme. Legjenda përqëndrohet në përballjen emocionale. Mund të thohet që ajo e redukton idenë e lirisë e nderit në një shpërthim momental emocional; katharsis. Kurse historia, duke e pá luftën si një pejsazh dhe heroinën a heroin si një pikë në këtë pejsash, i redukton nevojat shpirtnore të një bashksie në një deklaratë a datë historike, ose në arithmetikën e numërit të ushtarëve vramë a të gjallë.
Historiografia
Historiografia rreth Norës dhe Luftës së Kelmendit ka dý burime: 1) Relacionet rreth gjendjes së katolikëve shqiptarë të cilat priftënit katolikë ia dërgonin Vatikanit, dhe 2) Shkrimet prej historianëve e shkollarëve të kohëssë ngjarieve.
Relacionet
Në njënin prej këtyne relacioneve shkruhet:
Të gjith të tjerët të maleve kanë bamë paqe me turqit, d.m.th. Gashi, Iballja, Mirdita dhe vende të tjera, përveç Pultit e Kelmendit. Tash sulltani ka dërgue një pashë me 20 mijë ushtarë, dhe ka mbledhë edhe të gjithë të krishtenët e musulmanët e këtyne fushave, dhe kanë shkue kundër kelmendasve. Këta nuk e dinin se do t’u shkonte ushtëri sepse një shtrigë i gënjeu. Asgjamangut, sapo e morën vesh se shkonte një ushtri e tillë kundër tyne--dhe ata nuk ishin veçse nantqind luftarë - menjëherë... kanë vramë kaq turq dhe skizmatikë t’ushtrisë së turkut, sa pothuej një gjysmë dite ecëshe nepër kufomat e të vdekunve, dhe prej tyne [Kelmendasve] nuk kanë mbetë veçse 10 të vdekun e 4 të plagosun.
Autori vazhdon:
Pultianët e thanun rrijnë ndër male shumë të thepisuna, dhe bahen shumë (?), por të vorfën; kanë dy priftën, por dyshoj se mos janë si ndonjeni prej tyne; vjedhin, vrasin, e bajnë skllavë dhe plaçkisin turqit, skizmatikët dhe të krishtenët, dhe thonë se këtë e bajnë për nevojë, mbasi turqit i plaçkisin. Kelmendasit janë në kufí [me Pultin], por në një malsí ma të fortë dhe prandaj janë të pamposhtun; janë ma të fortë se Pultianët dhe ma të pasun, por ma t’egjër , sepse rrallë herë shkon prift te ta. Me emën janë të krishtenë, por me vepra aspak;... Kaq shumë u ka dalë zani e kaq të mëdha janë pretimet e tyne dhe damet që bajnë, saqë shpesh herë sulltani ka dërgue ushtri kundër tyne e pultianëve, por kurr s’kanë bamë asgja.
Më 3 Gusht 1707, V. Zmjaviqi i shkruan Vatikanit:
“Dí se midis Kelmendasve u dukën në betejë 300 gra, të armatosuna me çdo gjâ, kurse njëna prej tyne, pati nderin me vrá e me i pré kryet komandantit të ushtrisë otomane, në korrik të këtij viti.”
Ky relacion i shkruom rreth 70 vjet pas luftës së Kelmendit e paraqet përballjen e Norës me pashën si pjesë e luftës së kelmendasëve kundër otomanëve. Këtu, caku i autorit âsht me kallzua që Nora ishte luftëtare e stërvitun. Tregimi i këtij autori përkon me atë të Sirdanit, ku esenca e Norës âsht luftëtarja e jashtzakonëshme.
Në Relacione 159-61, shkruhet:
Kelmendasit banojnë ndër male shumë të mëdha dhe me pozita të forta [?] ndërmjet Bosnjës dhe Shqipnisë. At janë me kombësi shqiptare, flasin shqip dhe janë të përfshimë ndër kufijt e Shqipnisë, ushtrojnë besimin tonë të shenjtë katolik romak, por prej mungesës së punëtorëve(16) janë shum injorantë ndaj këtij besimi të shenjtë . Janë afro 250 shtëpí dhe 2900 frymë. Janë shum t’egjër prej natyre dhe shum të guximshëm në mjeshtrinë ushtarake, të pashëm, dhe trupmëdhaj. Kështuqë kur sulltani vuni nën zgjedhë të gjith Shqipninë, Bosnjën, e Sërbinë që janë krahina për rreth këtyne popujve të Kelmendit, kurr nuk mujti me ia shtrue vullnetit dhe bindjes së vet këta dhe disa popuj të tjerë banorë të maleve të Dukagjinit... Këta popujt e Kelmendit janë edhe shumë të pasun sepse përherë nëpër Shqipní, Bosnje e Serbi kanë plaçkitë e grabitë tregtarët e këtyne trí krahinave tue marrë çdo vjetë, ma shumë o ma pak, 40-50 kuaj të ngarkuem.... ma se një herë janë shtrimë edhe në Bosnje me plaçkitë fshatënat në mes të ditës, me marrë skllavën, kafshë, orendi argjanti dhe plaçka shtëpiake. Kjo shkaktoi që disa veta nga këto 3 krahina, dhe sidomos ata të Bosnjes, vajtën në Stamboll me u ankue dhe me i r’a ndër kambë sulltanit kundër Kelmendasve për kaq fyemje, tue i thanë se në qoftë se nuk do të merrej ndonjë masë që me i rrenue Kelmendasit kryengritës dhe që na bajnë keq, na që jemi shtatasit tuej dhe ju paguejmë kaq shum haraç, dhe ju sjellm kaq shum shërbime, nuk mund t’i durojmë shtypjet e tyne dhe prandaj do të detyrohemi me ikë në shtete të krishtena me të gjithë familjen, me fshat e me mbarë krahinën... sulltani u idhnue mjaft kundër Kelmendasve... [ai vendosi] të merrej me rrënimin e Kelmendit.
Interesant âsht që në këto grabitje Kelmendasit, ashtu si Pultianët, grabitnin edhe sklleven, të cilët ata ose duhej t’i mbanin në shtëpitë e tyne ose t’i shitnin. Ky aspekt nuk trajtohet në historinë e Shqipnisë.
Në faqen 181 të Relacione, autori shkruan që Kelmendasit ishin të detyruom me i mëshefë përsonat në “seksin femnor”. Kështu, mund të inferohet që ushtria otomane përdhunonte ose grabiste grá e vajza në vendet që ajo pushtuome.
Historianët
Autorët kryesorë që patën shkruom për Norën dhe Luftën e Kelmendit ishin Pjetër Bogdani dhe teologu italian Arcangelo da Salto. Ka gjasë që François Lenromantit dhe Enrico de Gubernatis citojnë da Salton. Marin Sirdani i citon të katër historianët/shkollarët. Kështu, historia e Norës dhe Luftës së Kelmendit ka dy autorë kryesorë, Bogdanin dhe da Salton. Të dy ishin autoritete akademike të njohuna të kohës së tyne.
Pjeter Bogdani (1627 – 1689)
Në qoftë se Lufta e Kelmendit ndodhi në vitin 1640, në atë kohë, ky autor ishte rreth 13 vjeç dhe, me gjasë, jetonte në Gur të Bardhë të Hasit. Prandaj, nevojitet një studim i burimeve që ai përdori për tekstin e tij. Sidoqoftë, në veprën e tij Banda e Profetënve, Bogdani shkruan:
“Kush mundet me i ram mboh se mã i vobek kje Vuça Pasha, i silli per të mbëledhë nji ushtri dymbëdhetë mi vetësh, nuk i mastuen shum miljon ar, se Kelmendsit, të sijt me nji za: “Eja kush ansht trim”, mbledhunë afer pesqind vetë, vrān Vuça Pashen, vjetit së Krishtit 1630. E në nevojë mpsuen me granë lëkuren e qarrit, posi të begatët majen e miellit, endè atyne ajo gjellë mã shije u ka, se Pashallarvet e Sanxhakvet mishi i kingjavet e vjetave të njomë, pa ndiem kurraj të ngimë, tue ngrãnë per gjith horë e tue votë rreth neper rajë të tyne, posi tha Profeta: “Kanë me ardhunë rreth gjytetsë e kanë me pësuem ûni posi qênt e gjithëherë mã fort dëshërojnë”.
Arcangelo da Salto (Shekulli i 17të)
Ky teolog italian, në vëllimin e IItë të veprës së tij, Vita del Venerabile Padre Fr. Bonaventura da Palazzuolo Riformato (Venecia, 1722), jep disa detaje rreth luftës midis Kelmendit dhe Perandorisë Otomane.
“Vjetin 1638 dau Sulltani me mposhtë të Krishtênët të quejtun Kelmen, banorë të maleve të nalta të Shqypnís, shka s’i kishte dalë me bã qëse kishte pushtue at mbretni. Shênjoi per at qellim Pashen e Bosnjes me nji ushtrí tridhetë mi luftarësh me të cillt shkojshin perdhuni edhe shum të Krishtênë. Ndeshë të dyja ushtrít në shoshoqen me gjithse Kelmendsit s’ishin veçse shtatëqind, të ndimuem prej vendit të thyeshem, mbyten katermi Turq, mueren nozull e municjone, e ushtrija qi pështoi u vu në të hikun e kjenë të ngushtuem me e shgrehë luften. Prej Kelmendsve mbeten vetem trembëdhetë të dekun e disa të varruem, e prej të Krishtenve qi ishin kenë me Turq mbeten dekun tre a kater”.
François Lenormant (1837 - 1883)
Autori e shkroi tekstin e tij Turcs et Monténégrins (Paris, 1866) gjatë udhëtimit të tij në Ballkan, por me gjasë pjesa që flet për Luftën e Kelmendit u pat cituom prej da Saltos
“Tuj e dijt qeverija otomane se çerdhja e anmiqve të sajë ishte Kelmendi, i dha urdhen në vjetë 1624 Pashës së Pejës e Mydyrrit të Gucís me e shtrue e me e bã të pakênun at fis. Kta mbas urdhnit qi paten i msýn, po kjènë dā me dam e mbarre të madhe. Po per me muejt me e hjekë at kore prej vedit mueren e dhanë deri sa te e vona i a mbushen menden Stambollës me çue ndima të mdhā e ushtrí per me pushtue at fis, qi i qitëte aq trazime qeverís. Kshtu Pasha i Shkodres muer urdhen me e bashkue fuqin e vet me fuqi të Pashës së Boznjes e të Pejës e me e msý Kelmendin. Ushtrija e bashkueme mbrrijti në tridhetë mi vetë edhe u nis prej Shkodret e u kap lugut të Cemit perpjetë. Kelmendsit u rrudhen perpjetë para gjith asajë mori ushtrije. Pa mbrrijt në Tamare, ku piqen Cemi i Selcës e Cemi i Vuklit, e ku Kelmendt kishin rrenue uren, banë nji dredhi. U vûnë në të hikun pa bã asnji qindresë me randsi. Kjo ligshti e dukshme u dha zemer Turqve e filluen me u shperda tuj e kalue lumin në kambë e tuj i ndjekë Kelmendsit majeve ku u shternguen per qindresë. Para se me i a nisë ktij sulmit Kelmendsit kishin çue nji rrem ushtrije mbrapa Turqve tinzë, e kshtû pa pritë pa kujtue kjenë të msým prej të dyja anve. Kelmendt të ndimuem edhe prej grave të veta rrokulluen shkamij e shkrepa mbi Turq, të cilt ishin shperda lugut të Cemit e brijave, por shumica gjindeshin në nji grykë të ngushtë, ku s’muejshin me u sjellë. Me i msý para nuk muejshin, pse ndesheshin në trup t’ushtris së Kelmendit, sidomos në shkrepa e shkamij, qi u rrokullojshin në ta, kshtuqi s’u mbet tjeter veç me i çilë shteg vedit per mbrapa, shka nuk u duel ndryshej veç tuj bã të bjerruna të mdha. Prej Turqve mbeten dekun gjasht mí vetë, megjithse nuk kjenë veç nandqind Kelmen, qi përbãjshin gjith fuqin e tyne. Pasha i Boznjes kje i pari, qi u vu në të hikun.”
Enrico de Gubernatis (1836 – 1914)
Edhe ky autor ka gjasë që citon da Salton. Mâ poshtë jepen citimet e tij në italisht dhe përkthimet në shqip prej Marin Sirdanit.
Kelmendsit si per natyrë e vend të fortë, si per trimni qi tregojn xêhen per mã të rrebtit nder Shqyptarë ( ... tum propter naturae et loci, munimen, tum ob propriam magnanimitatem sup rā, omnes Albanenses reputantur).
Per shkak të disa të thyemeve t’ushtris turke e pse s’kishin muejt kurr me e shtrue at vend kishin fitue nji nam të madh n’anekand mbretnín otomane (in toto ottomanico dominio magni nominis facti fuerant).
Diskutimi
Historianët e shkollarët mund të flasin edhe për Norën edhe për Luftën e Kelmendit, por ata përqendrohen kryesisht në të dytën sepse ajo i përshtatet mâ mirë qasjes shkencore.
Edhe rrëfyesit e legjendave mund të flasin edhe për Norën edhe për Luftën e Kelmendit, por ata anojnë kah tregimi i Norës sepse ai i përshtatet mâ mirë qasjes emocionale.
Tipikisht, historiografia i ka për subjekt një bashksí, kurse legjenda ka për subjekt një përson. Historia dhe legjendat janë dy gjysmat e të vërtetës. Ndërsa historia na jep diçka të llogaritëshme sepse ajo bazohet në numra e data, legjendat na japin shqetsimet e bashksisë, të cilat janë të padhogaritëshme veçsisht prej atyne që nuk i përkasin bashksisë. Të dyja përspektivat ndihmojnë në përçimin e një narrativi të shendetëshëm.
Përfundimi
Sirdani tregon që Nora dhe i jati i saj ishin luftëtarë dhe kishin marrdhanje shum të mira. Ai thotë Nora u vullnetua me vrá pashën. Vendimi i saj ishte heroik sepse ajo vendosi me rezikua jetën e saj për hir të bashksisë. Kjo bindje, ku Nora shihet si luftëtare e stërvitun, ndryshon prej legjendave, ku Nora ishte një heroinë e një tipi tjetër; e vajzës që vdes për hir të nderit. Prandaj për hulumtuesin e të kaluomes, figura e Norës mbetet në mes të historisë e legjendës; e hapun ndaj të dyjave.
Legjenda e Norës mund të besohej se kishte ndodhun vetëm në Kelmendin misterioz të asaj kohe, në Kelmendin që pretonte mbë ushtarët e karavanet turke dhe mbë karavanet e tregtarëve serb, boshnjakë, e shqiptarë. Një popullsí e tillë luftarake kur Ballkani rënkonte prej dhunës së pushtuesit jo vetëm që e bante gjithçka të besueshëme por edhe të dëshirueshëme.
Kelmendi ishte i mbështjellun në muzg misterioz edhe për një arsye tjetër. Ndryshe prej ballkanasve të pushtuom, të cilët kishin konvertuom në fetë kristiane a muhamedane, Kelmendasit vazhdonin të besonin edhe në Zotënit e Parë. Vene ré se sa pozitivisht përshkruheshin ata prej historianëve e shkollarëve: trima, mjeshtra lufte, të pasun, trupmëdhenj, të pashëm; praktikisht Zotën.
Çashtje nuk âsht nëse këto përshkrime ishin të vërteta, por që në thellsinë e Avës [4] së tyne psikologjike, ballkanasit zhigeshin për egzistencën e një popullsie të tillë. Ata andërronin që një popullsí e tillë jo vetëm të egzistonte por t’i shpëtonte ata prej zgjedhës së huaj. Për këtë arsye, legjendat që burojnë prej shpirtit të një bashksie komplementojnë historiografinë. Në fakt, mund të argumentohet që historiografia âsht vetëm skeleti i përvojës njerzore.