ARBANIKA

SIRDANIZMI

Tipikisht, historianët shkruajn rreth ngjarjesh historike prej një pikpamieje shkencore, duke harrua që baza e historisë janë njerëzit dhe përvojat e konditat e tyne, çka nuk mund të matet me mjete shkencore. Duke mos e pá njeriun si një makinë biologjike, filozofët e historisë e hapin historinë ndaj vetdijes, historicitetit, traditës; disa edhe ndaj vullnetit.

Me shmangë anglimin e historiografëve në shkencë, disa filozofë përdorin termin historicitet, sipas të cilit kuptimi dhe ditunia njerëzore nuk janë as vlera universale as të vërteta natyrore. Ato formohen prej rrethanave historike e kulturore të një bashksie, dhe njihen e kuptohen vetëm prej antarëve të bashksisë në fjalë. Megjithatë, prejse çdo njerí âsht i veçantë, ai ose ajo ndërvepron me traditën e ofruome prej bashksisë në mënyrë të veçantë. Këto të vërteta janë tejet të randësishëme në punimin kërkimor cilsor.

Veprat e Marin Sirdanit tregojnë që ai njihej edhe me parimet e historiografisë edhe ato të historicitetit. Ai pati zgjedhun një pozicion kualifikues, ku ai mbështetej në gjetjet e historianëve kur ai e shite të arsyeshëme, dhe në rrëfimet e bashksisë herë të tjera. Marini u vente randsí të madhe dokumenteve historike, prandaj veprat e tij janë të mbushuna me citime prej autorësh të shumtë europjanë. Por, ai vlersonte edhe legjendat që kishin mbijetuom në popull. Prandaj, ai pati mbledhun legjendat rreth Gjergj Kastriotit në malsitë e Gegnisë Lindore dhe legjendat e Norës në Selcë e Bogë. Por, para se me kuptua sirdanizmin, historicitetin e veçantë shqiptar, duhet t’u referohemi, krejt shkurtazi, Hegelit, Diltheit, Heidegerit, Gadamerit, dhe Niçes.

ARBANIKA

Të drejtat e autorit © 2025 Arbanika