Shqip
English
ARBANIKA

Diskursi Historik

Rreth Kryengritjes së 1912s

Disa kujtime e shënime

Shpend Bardhi (Mustafa Kruja)

Letratyra historike shqiptare i detyrohet P. Marin Sirdanit për studime shumë t’interesueshme qi ka botue mbi jetën e Skanderbegut me vëllimin e tij Skanderbegu mbas gojdhanash ( Shkodër, Shtypshkronja Françeskane, 1926) e në Hyllin e Dritës (vj. 1935, f. 72, 153, 550; vj. 1936, f. 30 e 130) me titull Në shka fajiset Skanderbegu? Ksi shtegut, nëpër nji varg artikujsh qi ka nisun të botojë prap në HD qyshë prej numrit të parë të këtij vjeti, me shumë të drejtë ãsht vũmë me shpërblye kundra harresës së pamiradijshme kreshnikín qi kanë tregue e flít qi kanë bãmë malsorët ndënshkodranë për lirín kombtare në 1912.

Diftimet historike t’Auktorit t’onë në këtë rasë i përkasin drejt e zhdrejt gjithë lëvizjes kryengritëse të prefekturës së Durrsit, qi kishte për qẽndër qytetin e Krús, e të 12 Bajrakët (5 të Mirditës, 4 të Zhubës e 3 të Thkellës a Kthellës), qi e kishte kryet te kapidanat e Gjomarkajve. Por Krú e Mirditë, sikurse ka m’u kallxue këtu mã poshtë, n’atë kryengritje ishin krejt të bashkueme në nji programë qëllimesh e veprimesh e të dyja përbãjshin nji copë të vetme e të padame. E mbasi un e kam ndjekun për s’afri këtë lëvizje, ase, për me folë mã shqip, mbasi kam qẽnë edhe vetë kãmb’e krye mbrẽnda në tẽ, tregimeve të të Ndershmit P. Marin Sirdani po u a shtoj edhe un disa kujtime qi më kanë mbetun të freskta e të gjalla ndër mẽnd mbas 26 vjeç, si edhe ndonji dokument qi ka shpëtue n’arkivën t’eme pa e përpimë valët e ksaj perjudhe plot turbullime të Vẽndit t’onë.

12 Flamurët (Bajrakët) ishin një njësi administrative që përfshinte Kthellën, Mirditën, e Zhubën. Kthella rrinte në krye të vendit, por sundin e njësisë e kishte Oroshi (shtëpia e pashës).

— Shtjefen Gjeçovi, Kanuni i Lek Dukagjinit

Në këtë përshkrim, veç, nuk due m’u largue fort prej temës së P. Sirdanit, prandej nuk do të flas veçse për zgrip mbi kryengritjen e 1912-s përgjithsisht e nuk do të hapem tepër as mbi atẽ të prefekturës së Durrsit e të Mirditës, ku përfshihen edhe malsorët ndënshkodrakë. Do të shënoj vetëm ato pika qi kanë të bãjnë drejt e tërthuer me këta burra të dheut e atdhetarë në ballë të gjithë popullit shqiptar.

Më pëlqen me e theksue këtë vërtyt të Lekvet të pesë fisevet të Malsís së Madhe, qi mos të kujtojë kush se po e shkruej për retorikë : atdhetarë në ballë të gjithë popullit shqiptar! Kam pasë të përpjekuna të dẽnduna me të tãna krahinat e Shqipnís. Atdhetarín e tyne, nji atdhetarí aqë të kulluet e aqë të hŷme në shpirt s’e kam gjetun kurrkund në popullin t’onë si grumbull, natyrisht tue marrë para sysh shumicat e jo pakicat e aqë mã pak personat. E ky fenomen psyhologjik më duket tepër i interesueshëm për kẽ ka ngé e aftí me vëzhgue shkaqet qi e kanë prodhue. Asnji nga kryengritjet lokale qi janë bãmë në Shqipní qyshë prej 1909-s e në 1912 s’ka pasun nji karakter aqë kombtar sa ajo e Lekvet të Mbishkodrës në 1911. Dymdhetë pikat e Librit të kuq si hartim kanë qẽnë vepra e Ismail-Kemalit e e Luigj Gurakuqit; por si frymë i kishin rrãnjët në zẽmër të secilit malsuer qi shkonte me lãnë kryet në grykë të topit për tẽ. Nuk dij në kanë sjellë ndonji ndryshim koha e rrethanat në shpirtin e tyne qyshse e kam humbun të përpjekunit me ta. Por t’atillë ishin në 1912 edhe vllaznit e tyne të Bregut të Mates. Veçse këta, si për numër ashtu për vẽnd banimi, nuk mund të bãjshin nji punë të madhe vetëm në krye të vet, nji punë qi të lẽnte shpresë për ndonji farë përfundimi praktik. Ishin nji grusht Spartanë pa Thermopyla.

Nji kryengritje e përgjithshme ishte vẽndue në Stamboll në 1912 prej disa deputetënvet shqiptarë të parlamentit turk, ndër të cilët Ismail-Kemali, Mufid Libohova, Hasan Prishtina dhe Esad Toptani. Por nji kryengritje pa nji programë politike të caktueme e pa kurrfarë organizimi. Nji programë politike as qi mund të caktohej në nji kuvẽnd njerzish qi vetëm ideja e kryengritjes i bashkonte njãnin me tjetrin, kurse në qëllimet politike të saja as dy vetë ndoshta s’ishin në nji mẽnde e asnjãni s’guxonte t’i a shfaqte tjetrit ça kishte në mẽnde e në zẽmër të vet.

Toptanët e Tiranës, Prengë Bibë-Doda e shumë krenë tjerë të Shqipnís ishin lajmue mbi vẽndimin e kuvẽndit të Stambollit. Hasan Prishtina kishte shkue vetë në Kosovë për t’a organizue kryengritjen e atij krahu. Un ishem ngarkue m’u marrë vesht me 12 bajrakët n’emën të nacjonalistave të Prefekturës së Durrsit e të Toptanvet. Masar Beu, i vllai i Avdi Beut, do t’u merrte vesht me Lekët e Bregut të Mates. Salih Nivica ishte dërgue në Vlonë, Delvinë e Gjinokastër për nji kontakt me nacjonalistat e atyne viseve. Raportat e tija na vijshin nëpër postën e Nemces (Austrís) ke Imz. Nikoll Kaçorri në Durrës.

Për 12 Bajrakët duhej me i u sjellë pikë së pari Preng Pashës, pa fjalën e të cilit Mirdita as Zhuba (bajrakët e Malsís së Leshës) e as Kthella nuk luente vẽndit. Bisedova me tẽ në Shkodër, në shtëpí të vet. Prengë Pasha u diftue i gatshëm me e qitun kushtrimin ndër 12 bajrakët. Por këtyne nuk do t’u prĩnte vetë pa i prĩmë Shqipnís së Mesëme Esad Pasha. Po të prĩnte Avdi Beu atje poshtë, prĩsi i 12 Bajrakvet do t’ishte Kap. Marka-Gjoni, ase Masar Beu në njãnën anë e Kap. Ndue Gjoni në tjetrën! Ka etiketa e ceremoní të mëdhaja aristokratija [Pashat] shqiptare, edhe kur ãsht puna me shpëtue Atdhén prej zgjedhe, e populli i ynë nuk ecte atëherë (sod nuk e dij) pa i prĩmë bejlerët e kapidanat . Kruja, p.sh., kishte mjaft besim në mue aqë sa gjithë parija e saj qe betue për kryengritje përpara meje; por me i a nisun duhej Avdi Beu në krye, me doemos. Veç Lekët, ata, s’kanë të këtillë. Bajraktarët e Vojvodat e tyne s’janë tjetër veçse primus inter pares.

"Veç Lekët, ata, s’kanë të këtillë. Bajraktarët [Flamurtarët] e Vojvodat e tyne s’janë tjetër veçse primus inter pares."

— Mustafa Kruja për Ligjin e Lekëve

Ndërmjet Prengë Pashës e meje u fol edhe për mungesën e armvet e të municjonit. Më tha se Mali i Zi mund të na ndihmonte, porse “Ki çaratà na lip Shkodrën, e na këtẽ s’und i a lëshojmë”. Mbi hollsinat e bashkveprimit Prengë Pasha më porositi m’u marrë vesht me sekretarin e tij z. Ibrahim Kumanovën (Hamzàn) edhe drejtpërdrejt me krenët e 12 Bajrakvet.

Nji ditë kishem shkue për nji vizitë ke Maj. Ali-Fehmi Kosturi, në zyrë të Kumandës së Gjindarmërís së vilajetit. Atje gjeta gand edhe Ibrahim Kumanovën. Mbas pak minutash Majorin çoi e e thirri Valiu. Shkoi tue na u lutun qi mos të mërziteshim, se nuk do të vononte m’u kthye. Por ai u qellë atje gati nji orë, e në këtë kohë Z. Ibrahim Kumanova e un gjetëm nji rasë t’interesueshme për me vijue bisedimet t’ona mbi kryengritjen mu në nji zyrë qeveritare aqë me rãndsí!

Krenët e 12 Bajrakvet, mbas fjalës së Pashës e në ditën e caktueme, ishin mbledhun te kulla e tij në Kallmet ku vojta e bujta edhe un nji natë e kuvëndova gjat’e gjãnë me ta. Por n’at mbledhje mungonte nji krye me rãndsí: Kolë Toma i Veles. Ky i prĩnte gjithë Zhubës. Dy herë i a kishte djegun kullën qeverija turke mbrẽnda atyne 3-4 vjetve të fundit. Ishte nji burrë trim e atdhetar, e ndonse mã i vobti ndër krenët e malsís së Leshës asnji s’i a qitte kãmbën para në dash për kuvẽnd në dash në luftë. M’a kishte ãnda pra me folë goja-gojës me tẽ. Kështu nji ditë prej ditsh u nisa prej Kruje bashkë me nji shoq, me Tog. Muharrem Tagën, e shkova në Velë. Gjetëm në shtëpí të tij nja dy shokë të katundit të vet. Shtëpí-zeza e Kolë Tomës n’atë kohë s’ishte gjã tjetër posë nji përdhese e keqe ndërtue me mur të thatë, sa me qẽnë ndën strehë.

̶ Zotnén t’Uej, na thotë Bajraktari me buzë në gaz tue na pjekun kafen në krye të votrës ku ishte ulun, celli shẽjt Ju paska çue me hjekun keq në këtë shpellë të shëmtueme e ndër këta kepa të Veles.

̶ Asnji shẽjt, or Bajraktar, i a prita un tue i luejtun sŷnin, por halli : na kanë vjedhun do kual e na kanë thãnë se kanë dalë këndej.

Bajraktari me atë të luejtun sŷni muer vesht gjithçka e tha :

̶̶ Mos kini ngale, se në paçin dalë kualt në kët’anë e në të katër Bajrakët e Leshës s’ lẽn pa ju a diktue Kolë Toma, veç drue mos t’i keni në Thkellë.

Dy shokët e Bajraktarit nuk vonuen me shkue e na mujtëm këtu me folë lirisht atë natë me tẽ mbi….kualt e vjedhun.
*****

Me 12 Bajrakët ishte damë fjala qi kryengritja të plaste në Krú me të parën ditë të korrikut. Nji fuqí ndihmuese e për solidarí do të vinte prej Mirdite e bajrakësh tjerë m’u bashkue me Krutanët në mal të Sarisalltikut.

Me 21 qershuer kishem shkue un me përgatitun Kurbinin e kishem ramë në shtëpí të Gjin Pjetër Përvizit në Skuraj.

Gjin Pjetri, ndonse analfabet, ka qẽnë nji burrë i squet mjaft ; katholik i devoçëm, gati sa e shoqja Cena, nji grue burrneshë edhe kjo, trime e bujare. Mã e para shtëpí në Skuraj e nji nga mã të parat e gjithë Kurbinit. Shtëpí e madhe me shumë mashkuj, me tokë e bagtí, shkurt shtëpí pasanike për vẽnd të vet e derë e çelme. Kishte krushqí me Gjomarkajt e Mirditës e në Krú s’kishte shtëpí të parë qi s’e njihte Gjinin. Mã të shumën e parís së Krús i kishte miq. Burrë i pashëm, i hollë e i gjatë; në petkat e tij merrte miza mjaltë, sidomos kur shkonte në Krú, e shkonte shpesh atje. Këta të përpjekun të dẽndun me qytet e kuvẽndet e tija me parsí të Krús e kishin gdhẽndun aqë sa me t’u dukun se ke përpara nji qytetar të vërtetë për mënyra e sjellje në shoqní.

Nji ditë para meje edhe Masar Be Toptani kishte shkue, po me nji qëllim, në Breg të Mates, ndër Lekë.

Qe se ç’u raportojshim un n’e nesre mbrãma me 22 qershuer shokve të mij në Krú:

“Lajme me rãndsí”.

SKURAJ, 9. Qershuer 1329, ora 1

“Mbrãmë mbërrĩna në shtëpí të Gjin Pjetrit. Gjeta këtu edhe Masar Bèn, qi më dha lajme me shumë rãndsí. Dedë Coku paska pasë marrë vesht dje se do të dërgohej në Krú prej Leshje nji sasi armësh e municjoni (30-40 barrë) ndën rojën e nja 30-40 ushtarve. Mbasi Masar Beu gjindej qyshë parmbrãmë ora në 6 në shtëpí të Gjeto Cokut, malsorët e paskan pyetun se si me i a bã. Ai, tue marrë para sŷsh nevojën qi kemi për armë e municjon, i paska kshillue Lekët qi po t’ishte e mundun, me e shtimë në dorë beftas atë materjal, pa zhurmë e pa pushkë, tue e lëshue rojën në nji kurthë, plaçka do t’ishte e pëlqyeshme. Për ndryshe jo. Mirë po mendimin e malsorvet e paska marrë vesht…. edhe qeverija ( këtë spijuní e paska bãmë Sadri Keqi, nji malsuer mysliman qi banon pak këndej Leshes ), e cila atëherë vẽndueka me e përsjellë karvanin me nji bataljon 700 vetësh. Lekët edhe këtë vẽndim të qeverís paskan mbërrĩmë me e marrë vesht edhe i a paskan kumtue Masar Beut, i cili, në këtë rasë, i paska kshillue me hjekun dorë pa tjetër prej asaj plaçke. Por ata këtij lajmi të dytë s’i a vũkan veshin e zãnkan rrẽnë. Edhe kështu bãjnë të veten, siç e kishin sajue mã parë. Vẽnë nji pritë 40 vetësh ke trapat. T’a pamen bataljonin me sŷ, disa prej sish duen qi t’i lëshohej rrugë me kalue pa e gërgamë aspak. Por tjerët qëndrojnë në vẽndin e përparshëm, sikur edhe asnji kãmbë prej tyne mos të shpëtonte. Edhe nisin pushkën. Luftimi bãhet i rreptë: 6 mitroljoza, mã se 30 barrë municjon, ushqim e opẽnga bien në dorë të malsorvet. N’ushtrí nuk dihet ç’ dãm ãsht bãmë. Na kemi 5 të vdekun e 4 të varruem. Ndër të plaguemit gjindet edhe Dedë Coku. Dikush thotë se ushtrija ka humbun mã se gjymsën. Flitet se 5 gjindarmë kalorë qi kanë qẽnë me ushtrín kanë kalue lumin e shpëtue shëndoshë. Hamid Efendiu paska pasë ardhun në breg të Mates me fuqín e Gjonmit për me pritun karvanin. Por të ndiemen pushkët e para paska tralun, tym të baftë Zoti, me gjithë ushtarë të vet.

“ Të shumën e njerëzve, me të cilët kërkojmë të piqemi, i ka hallakatun lufta. Ndoshta, simbas nevojës e rrethanavet, nesër mund të shkoj edhe un atje ke luftarët. Dorë për dorë kështu janë punët. Nuk shoh nevojë me i komentue faktet. Due të ju them vetëm këtẽ: qi duhen marrë masa të shpejta për me ndriçue katundarët, e sidomos myslimanët e Kurbinit e katundet e tjera fanatike.”

Qe pra se Lekët e Bregut të Mates i a kishin fillue 9 dit para Krús e Mirditës, vetëm e në krye të vet. E sa për nji pré s’kishin si dilshin mã me faqe të bardhë. Raporta e ime ka mjaft gabime e zmadhime. I kam raportue lajmet siç i kishem ndie prej gojës së Masar Toptanit e ai m’i kishte dhãnë ashtu si i a kishin kallzue vetë malsorët. Këtá, mbas atij luftimi të bukur kishin ik e futun ndër 12 Bajrakët me grá e fëmijë e me pak gjã qi kishin mujtun me skapullue.
*****

Në Krú u fillue kryengritja në ditën e caktueme. Kap. Dodë Lleshi e Zef Ndoci i Mirditës mbërrĩnë, siç ishte lidhun fjala, kujtoj me nja 100 vetë. Qyteti i Krús ra krejt në dorë të kryengritësvet, posë kalás, ku ishte ngujue nji bataljon ushtarë e gjindarmërija. Me 3 korrik i bãhej popullit nji shpallje, e hartueme prej meje, tekstin e së cilës nuk po e botoj këtu për mos me zãnë shumë vẽnd.

Mbas trí diç tjera, me 6 korrik, i a mbërrĩni Maj. Ali-Fehmi Kosturi me nji bataljon tjetër e me topa prej Shkodre pa i hŷmë ferrë në kãmbë deri në rrãnzë të Krús. Atje, mbas 5 orësh luftimi, e theu çetën t’onë qi kishte zãnë pritë ke Kroi i Fokës ndën kumandën e Refik Be Toptanit. Kryengritësit u shtrënguen atbotë me u prapsun kah Kurbini tue zãnë vẽnd në Skuraj e në Breg të Mates. Tash rruga ndërmjet Krús e Leshes ishte e preme.

Me 22 korrik na vjen prej Kruje nji letër e drejtueme Avdi Be Toptanit qi e shkruente Asllan Denizi e e ndënshkruente edhe Muharrem Pengili, të dy nga parija e atij qyteti. Qe teksti i asaj letre:

“Zotní,

Zotní Kumandari do të niset sod prej Kruje me gjithë bataljon për Shkodër. Do të vijë sonde, vetëm, për t’u pjekun me Z. T’Uej tue e lãnë ushtrín në Mamurras ase në Gjonëm. Ju, duhet të qitni lajmin gjithkah qi mos t’a ngasë kush ushtrín e mos të shtjerë kush mbë tẽ deri në breg të Mates, kështu qi ajo të jetë e sigurtë rrugës deri sa të shporret këndej prej nesh.

Agjencija lajmon se gabineti ka ramë.

Kumandari ka për t’ardhun sonde në shtëpí të Shaban Kasemit në Milot i shoqnuem prej meje. Pra piqemi atje. Ju lajmoj se ka dy dit qi e ka marrë urdhnin me u nisun, por ãsht vonue për me pritun përgjegjen e pjekjes me Jue.

Me 8 korrik 1328 (21 /7/ 1912)”

Avdi Beu u a dha këtë lajm gjithë krenvet të kumitës e si u muerën masat së bashku për forcimin e pritavet n’anë të djathtë të lumit u nis bashkë me mue për Milot te kulla e Shaban Kasemit ku do të vinte edhe Majori. Ky u mundue fort me na e mbushun mẽnden qi t’i lëshojshim shteg të lirë për Shkodër, pa pushkë e pa dãm të të dy palvet tue na vũmë para sŷsh rrezikun qi e pritte kumitën ndërmjet bataljonit të tij e nji tjetri qi ndodhej në Lesh me nga dy topa. Përgjegja e jonë qe e preme : vetëm tue luftue mund të çante rrugë me kalue.

Kumita e kishte ngulun qẽndrën te kulla e Ndue Për-Jakut në Përzãnë të Bulgjërit. Mëngjesi i ditës 24 korrik na gjet me anmikun për ballë në breg të lumit kah ana e Milotit. Plani i ynë përmblidhej në trí pika veprimi. Nji çetë nja 30 vetësh i kishte zãnë pritë ushtrís së Leshës në krye të kalldrãmit të Barbullushit qi shkonte për medis të kënetës së Trenshit. E kumandonte Llesh Nikë Daka. Për nji shteg aqë të keq e të rrezikshëm ishte e pamundun qi të kalonte nji ushtrí tue luftue, sado e fortë qi t’ishte, e udhë tjetër ndërmjet Leshës e bregut të Mates s’kishte aso kohe. Fuqija kryesore e kumitës, qi kishte zãnë vẽnd gjatë bregut të djathtë të lumit atje ku ky mund të kalohej në vá, do t’a mbante bataljonin e zit Kosturit me pushkë gjithë ditën deri qi t’errej e atëherë do t’i biente Kurbini përmbrapa. Ky plan shkoi fare mirë deri në nji farë kohe mbasdite. Të gjitha sprovat e ushtrís për me kalue ujin dështuen. Të gjithë po pritshin pa durim provën e madhe t’errsinës. Nata mund t’ishte ndoshta përkëdhelse edhe për shpresat e ushtrís. Por na ishim të sigurtë se ajo, mbetun ndërmjet dy zjarmesh, nuk do t’i gjente shteg vetes. Po kur qe se ça kishim mendue na me i bãmë në terr të natës anmikut shpëtuem për qyme të flokut pa na e bãmë ai neve ditën me diell!

Çeta e Llesh Nikës e kishte pasë lëshue pritën e kalldrãmit të Barbullonjës e kishte qẽnë hallakatun nuk dij se kah. Prej mërzije, sigurisht, Gjeto Coku, i lajmuem ndoshta prej vetë Lleshit, trumbeton sa mundet rrezikun qi po na kërcnohej të gjithve. Por s’ka kund nji krye, nji kumandar të përgjithshëm mbi né, mbi të tãnë kumitën, qi me i u ndëgjue urdhnat ushtarisht. Askush s’e kthen kryet mbrapa e s’tundet vẽndit. Shumë kuj ndoshta i dukej edhe ligshtí me lëshue llogoren ku ishte tue luftue e me shkue atje ku do të pritte me duer n’ijë deri qi t’i vinte ora e vet. Mã në fund nji djalosh intelektual kërcen jashtë prej llogores së vet tue vikatun: “Kush qoftë burrë të vijë mbas meje!” Nja 10 vetë qi kishte afër i u lëshuen përmbrapa, ndër ta edhe Gjin Pjetër Përvizi. Kjo çetë e vogël nuk pat bãmë mã shumë se nja dy kilometra udhë e qe se po përpiqet ballë për ballë me bataljonin e Leshes! Ky kishte pasë kaptue e dalë këndej kalldrãmit. Mbas pak batare pushkësh çeta e jonë shpëtoi pa asnji dãm ndën projën e nji gardhi të naltë e të dẽndun qi e mbulonte. Kumita e kupton atbotë rrezikun edhe pa bjerrë minutën lëshon llogoret e tërhiqet kah malsija e Leshes.

U muer vesht mã vonë se Maj. Ali-Fehmi Kosturi me bataljonin e tij kishte pasun me vete nji shumë ari të madhë marrë prej postës së Tiranës për me e çue në Shkodër. Flitej për 40 mijë lira turke, por mbas dokumentash zyrtarë qi më kanë ramë në dorë paskeshin qẽnë plot 31.900 lira. Tue ligjirue nji ditë, mbas revolucjonit, me Avdi Beun rreth ksaj çashtjeje, m’u dha me mallkue fatin e padisiplinën e kumitës qi s’na kishin lãnë me i shtimë në dorë këto pare, të cilat, në mos tjetër, kishin mujtë me shpërblye dãmet e pagueme prej njerëzve t’anë, sidomos prej malsorve të Bregut të Mates. Avdi Beu, mã i pjekun e mã filosof se un, m’a priti me buzë në gaz: “Qoftë bekue ajo orë, birò! Kurrë s’na ka dashun Zoti mã fort se n’atë ças qi ka frymzue çetën e Llesh Nikë Dakës me lëshue pritën e kalldrãmit të Barbullonjës e me çelë kso dore rrugën atyne pareve për me shkue në vẽnd të vet. Të kishin pasë ramë ato në dorë të kumitës kjo do t’ishte grimë ndër vete e do t’ishte bãmë gazi i dheut!”

Mbas asaj dite Avdi Beu e un bashkë me krenë tjerë u nisëm për Orosh tue kalue nëpër Rubik e Rrëshẽ, e prej Oroshi u nisëm per Shkup mbas sa diç me Kap. Marka Gjonin, Mana Begun e Leshes, Riza Danin e tjerë. Shpresojshim se atje, në kushtet qi do t’u caktojshin për pajtimin e Shqiptarvet me qeverí turke do të kishte ndonji farë peshe edhe fjala e jonë. Mirë po kur mbërrĩmë na, puna kishte qẽnë krye pa né, n’atë mënyrë qi dihet.

Në nji artikull tjetër due m’u sprovue pale a mund të merrem vesht me P. Marin Sirdanin rreth qëndrimit të Hasan Riza Beut, valiut e kumandarit turk të Shkodrës, e sidomos rreth padive të rãnda qi ai u bãn në shkrimet e tija, drejt e tërthuer Avdi, Masar e Refik Be Toptanit


Komente e Shënime

1.

Siç shkruan edhe Marin Sirdani, Mustafa Kruja ishte njëni prej patriotëve dhe intelektualëve mâ me peshë të kohës së tij. Në fakt, âsht inteligjenca e tij dhe e Marinit që i bajnë këta tre artikuj një masterklasë në diskursin politiko-shoqnor.