Shqip
English
ARBANIKA

Stili
Shkolla e Athinës, Rafaeli, c.1509–11

Hermeneutika âsht filozofia e interpretimit, teoria âsht një platformë a doktrinë që vendosë rregullat e interpretimit të tekstit, kritika âsht aplikimi i njënës prej teorive në një vepër, kompozimi âsht teksti faktikisht i shkruom.

Kritika (en. Literary Criticism)

grc. κριτικός kritikós (që lidhet me gjykimin ose dallimin) <- κρίνω krínō (me gjykua). Çdo gjâ që prodhohet gjykohet ose për vlerat e saj ose duke u krahasua me prodhime të ngjashëme. Por, në kuptimin e letërsisë dhe arteve, për një shumicë kritikësh të shekullit të 20të, kritikë quhet zbatimi i parimeve të një teorie me vlersua një vepër letrare ose artistike. Kështu, kritika mund të kthehet në moralizim. Por, duhet cekë që as kritikët e artit e letërsisë as shkrimtarët e poetët nuk kanë as ekspertizën as autoritetin me moralizua.

Shih kompozimet specifike

Teoria (en. Critical Theory)

grc. θεωρία theōría (meditim, perspektivë hyjnore, spekulim, kërkim). Teoria formulon sundet e gjykimit (kritikës), dhe prandaj edhe kompozimit (krijimit). Ajo nuk merret me një vepër letrare a punim artistik të veçantë por me letërsinë dhe artet në përgjithsí. Në qoftë se kritiku gjykon ose vlerson një vepër letrare, teoricieni përcakton ligjet që përdoren me gjykua veprat letrare e artistike në përgjithsí.

Disa njohuní që lidhen me teoritë letrare

Teoritë sipas Fokusit

Hermeneutika: Filozofia e Interpretimit

grc. ἑρμηνευτῐκός hermēneutĭkós (që lidhet me interpretimin) < ἑρμηνεύω hermēneúō (me përkthye, me interpretua). Hermeneutika përkufizohet si filozofia e interpretimit. Ajo përpiqet me kuptua kompozimin, (krijimin, prodhimin), kritikën (gjykimin, vlersimin), dhe teorinë (spekulimin, parimet e kritikës). Ndërsa këto trí aspekte të krijimit e vlersimit (kompozimi, kritika, teoria) merren me tekstin, hermeneutika i merr të tria në pyetje, p.sh., përse nevojitet kjo veper në këtë kohë, përse u shkrua kritika e veprës X në këtë kohë, dhe përse nevojitet teoria X; çfarë të rejash dhe çfarë paragjykimesh sjellë ajo?

Parqitje e shkurtë e hermeneutikës, filozofisë së interpretimit

Kompozimi: Teksti

poesis –grc. me bâ. ποίησις poíēsis (prodhim) < ποιέω poiéō (me bâ). Ajo që ne quajm ‘poezí’, grekët e quanin ‘prodhim’ dhe në të ata përmblidhnin tan letërsinë. Sot, ‘poesis’ mund të quhet kompozim—prej eseve e poemave të nxanësve të shkollës te veprat akademike ose letrare shum-vëllimëshe.

Shembull aplikimi i teorisë Sirdanike të letërsisë