Ky udhëzues metodologjik përdorë poemën e Aleksandër Sirdanit, “Marimanga, Gungalla e Bleta”, me ilustrua analizën e poezisë përmes mjeteve tingullore, retorike, dhe figurative. Duke ndërlidhë strukturën klasike të esesë me disa koncepte thalbësore shqiptare, ky punim shërben si një model për kalimin prej vrojtimit teknik te interpretimi hermeneutik i tekstit.
Parathanje
Ka herë ku kufini i prozës e poezisë mjegullohet. Për shembull, proza mund të jetë po-etike, ndërsa poezia mund të tregojë një historí. Por, ka edhe herë kur cilsia e prozës âsht poetike dhe ajo e poezisë âsht prozaike. Kështu, forma pamore e tekstit nuk duhet marrë si dallimi kryesor në mes prozës e poezisë. Megjithatë, imazhnia, gjuha shqisore, dhe teknikat e almiset tingullore, i përshtaten mâ mirë tekstit poetik sesa atij prozaik.
Në analizën letrare të poezisë, ashtu si në atë të prozës e dramës, autorit të esesë i kërko-het me identifikua, analizua, dhe interpretua përdorimin e figurave letrare ashtu siç i dobison ato autori i tekstit. Në poezí figurat mund të anojnë kah tingëllima, si aliteracio-ni, asonanca, konsonanca, e të tjera. Autorit të esesë i kërkohet me analizua se përse au-tori zgjedhë një figurë a teknikë letrare e jo një tjetër, dhe si e ndihmon atë kjo zgjedhje me ndërtua kumtin që i përçohet audiencës. Aspekte të tjera tipike poetike përfshijnë mostrën e theksit, kambën, metrin, mostrën e rimës, ritmin, kadencën, etj.
Formati: Tipikisht, kjo esé duhet të ketë sëpaku 4-5 paragrafe, ku paragrafi i parë përfshin hapjen, paragrafi i fundit mbylljen, dhe paragrafet tjera analizojnë lidhjen e evidencës me idetë kryesore të pasazhit ose të veprës. Më fjalën ‘evidencë’, këtu kihen parasysh diksioni (zgjedhja e fjalëve) struktura sintaksore, dhe përdorimi i figurave letrare (tropeve dhe skemave).
Farët e Pyetjeve: Pyetje tipike që i përshtaten kësaj detyre përfshijnë:
- Si e ndërton autori argumentin e tij?
- Si i dobison autori metaforat ose figurat tjera?
- Si i ndihmon autorit imazhnia me i përçua kumtin e tij audiencës?
- Si e ndihmojnë autorin figurat letrare e poetike me ndikua mbë ndjenjat dhe bindjet e audiencës?
Fjalët Kyçe (Shih Gazullin, Demën, Topallin, Çabejn)
- avë /a – psyche (grc.) shpirt (lat.), soul (en.), geist (de.), ymër (arab.)
- februa, me - me zhbirua, gjurmua, hulumtua
- përspjekë, me - ka kuptim të njëjët me lat. me kundërshtua; me kontrastua
- pasdorua, me – me lanë pas dore; mos me i kushtua kujdesin e nevojëshëm
- i, e, të pathukët – person jointeligjent, që nuk ka dendsí intelektuale
- ndërlikë, me – me u ndërlidhë
- dhanë – energjí
Hapja: Konteksti dhe Teza
Poezia e Aleksandër Sirdanit, “Marimanga, Gungalla e Bleta”, nuk âsht thjeshtë një fabul moralizuese; ajo âsht një skenë e gjallë ku përplasen vlerat thabësore të kulturës shqiptare; në veçantí detyrat që fëmijët kanë ndaj prindëve të tyne. Në këtë analizë, do të shohim se si Sirdani përdorë imazhet fizike, si flokët e shprishun dhe krahënin, me ndërtua argumentin e tij.
Kjo temë nuk âsht e ré. Në tragjedinë e tij Mbreti Lir, Shekspiri trajton të njëjëtin argument. Por, ndërsa Shekspiri e trajton zhgënjimin prindor përmes rrafshit të arsyetimit dhe logjikës, Sirdani e zhvendos këtë konflikt në një rrafsh mbinjerëzor—duke përdorë bekimin dhe namën me qitë në dukje tendosjen shpirtnore të prindit.
Lekët kanë një shprehje, ‘E shkojnë si nanë e bij’, ose ‘si atë e bir.’ Të dyja shprehjet kanë të njëjëtin kuptim, ‘e shkojnë jashtzakonisht mirë.’ Por, ashtu si Shekspiri në dramën e tij ‘Mbreti Lir’, edhe A. Sirdani në poezinë e tij, ‘Marimanga, Gungalla e Bleta’ e kundërshton këtë klishé. Megjithatë, ndërsa Shekspiri e ndërton temën e tij nëpërmjet kontrastit të dialogut e monologut, A. Sirdani e ndërton atë nëpërmjet kontrastit të bekimit e namës. Ndryshimi âsht thalbsor sepse, ndërsa Shekspiri mbetet brenda arsyetimit, A. Sirdani, nëpërmjet konceptit të ‘namës’ kalon në dimensionin mitologjik dhe kështu i jep argumentit të tij thellsí kohore. Fatkeqsisht, të dý veprat ngjajnë në asertën që ‘Shumica e prindëve mbeten të zhgenjyem prej sjelljes së fëmijëve të tyne’.
Mbështetja - Evidenca dhe Analiza
Në këtë poezí, imazhi kryesor që përsëritet âsht gruaja e pamundun 'me flokë të pakre-hun', dhe sinonimet e kësaj fjale mâ ekstreme, si flokët ‘e(zh)gatërruom’ ose ‘të shprishun’. Këto imazhe përspiqen me përsëritjen e imazhit të ‘krahënit’, i cili simboli-zon përkujdesjen. Kështu, simbolikisht, përkujdesi përspiqet me pasdorimin.
Çka domethanë kjo përspjekje? Mund të grishemi me hy në interpretime të bazuome në platforma psikologjike, politike, sociologjike, e të tjera, të cilat, mund të thohet që patën arritun qyenin e tyne kah fillimi i viteve 1980, por do të ishte mâ urtsí me iu përmbajtë hermeneutikës, a cila, si filozofia e interpretimit, udhzon edhe artin e interpretimit.
Të mbështetun në kodin e 'burrnisë' së shqiptarit mund të pyesim se çka do të thotë ky kontrast në mendjen e një përsoni që e ven Avën Arbanike (shqiptarizmin) mbi gjithçka tjetër? Por, këtu menjëherë ndeshemi me një problem; fjalën burrní. Qartazi, s'ka burrní mâ të madhe se me u kujdesë për një nanë të pamundun, por do të na duhej me pyetë nëse fjala 'burrní' mund të dobisohet edhe për femëna. Përgjigja âsht 'absolutisht' — por jo për ata që e marrin 'burrninë' për njëfarë guximi të pathukët. Jo për ata që e imagjinojnë ‘burrninë’ si veçsí e një burri shalgjatë, shpatullgjanë, me mustakë të dredhun, a vetulla të vrame. Kjo karikaturë e burrnisë shqiptare u pat deformuom prej osmanlive e bolshevikëve shqiptarë. Kuptimi i vërtetë i fjalës burrní del te Edith Durhami kur ajo përshkruan vllazënit Cokaj dhe lekët e Mbishkodrës. Ajo habitej se si kishte mundësí që këta përsona, të cilët nën regjimin otoman nuk mund të shkolloheshin, të silleshin në mënyrë aq të kulturuome. Përgjigja e Durhamit do të kishte qenë kjo: Për né shqiptarët, 'burrnia' âsht ajo që grekët e lashtë quanin 'aristos', ose ajo që gjermanikët e lashtë quanin 'othala'.
Duke e konceptua fjalën 'burrní' si uniseks, trí motrave u kërkohet 'me bâ burrní', me qenë të fisëme, me u sjellë si njerëz të civilizuom; me pasë kulturë. Për né, burrnia âsht vetë kultura; në fakt, mâ shum se kultura. Mund të thohet që burrnia âsht një gjendje ku njeriu i kulturuom nuk e humbë fuqinë e vullnetit me qenë fisnik ose fisnike.
Përtej detyrimit të fëmijëve ndaj prindëve, pyetja që ngritë A. Sirdani âsht kjo, 'A gjindet burrnia në ajth të ajkës së kenjes shqiptare?'' Kjo pyetje âsht e njâjët me atë që bâhet në 'Legjendën e Gjelinës', ku dvetet nëse ‘besa’ âsht esenca e mashkullit shqiptar.
Kështu, përkujdesja e trí motrave përspiqet me besën e tré vëllazënve. Këtu mund të ngrihet një pyetje tjetër. Në mënyrë indirekte, a dëshiron A. Sirdani me thanë që ‘përkujdesja i përket femënës’, ndërsá, ‘besa i përket mashkullit’? Përgjigja që jepet prej kulturës shqiptare ãsht; jo! Besa e kujdesi janë atribute të çdo mashkulli e femëne shqiptare; të dyja këto aspekte janë atribute thalbsore të burrnisë. Gjithçka fisnike ndër shqiptarë âsht aspekt i burrnisë.
Në këtë poezí, A. Sirdani dobison imazhin e flokëve të shprishun me tregua nevojën e nanës për kujdesim, dhe krahënin si simboli i kësaj përkujdesieje. Por, duke u përkujdesë për nanën e tyne, të bijat do ta lenin veten e tyne keq; do të sakrifikonin atë që ato dëshironin me bâ. Keshtu mund të inferojmë që A. Sirdani nuk e vëren përkujdesjen si dashní ose si bamirsí, por si sakrificë. Këtu, nocioni i sakrificës del si aspekt i burrnisë sepse burrnia nuk âsht tjetërgjâ por vetëm sakrificë. Do të ishte burrní me lanë çka je duke bâ dhe me ia krehë flokët nanës së pamundun; ose me i telefonua.
Në poezinë e A. Sirdanit, imazhnia e metafora shkrihen në parsimin (en. pairing) e secilës vajzë me një qenje iracionale. Vajza që i ngjan marimangës âsht e vetmuome, egoiste, dhe e pabesë. Ashtu si marimanga, e cila shihet gjithmonë vetëm dhe gjithmonë duke ndërtua rrjeta me një përpikmëní të paaritëshme, ajo e shpenzon dhanën e saj me cakim cubnie—me zanë (me pré në besë) prétë e padjallzuome. Vajza që krahasohet me gjinkallën (gungallën), mund të quhet ‘kryeerë’, përson që e ka mendjen në qefe sipërfa-qsore. Imazhi i qenjes iracionale që krahasohet me vajzën e fundit bart dý aspekte, puntorsinë dhe ambëlsinë. Ajo i sakrifikon nevojat e veta si bleta dhe flet fjalë të ambla si mjalti.
Mund të inferojmë që nana në këtë poezí mendon kështu: Të Mallkuom qofshin ata që nuk kujdesen për prindët e tyne; Të Bekuom qofshin ata që kujdesen.
Nana bekon vajzën e vogël:
Sa të ket rruzlli dit e net,
Kjosh e ambla shujtë e të gjallve,
Kjosh e ndritshmja dritë e të parve.
Por ajo namë dý vajzat e mëdha:
Të parën:
Këndosh e këndosh e plaç fill në shpinë
Sa me bã gjithkend m’u bindë!
Të dytën:
Gjithmonë puna keq por të hastëSot âsht pak e vështirë me e kuptua këtë marrdhanje të lashtë, por atbotë pleqtë nuk kishin as pension as të ardhuna. Në pleqní, ata mbetnin nën mëshirën e njerëzëve me të cilët ata jetonin; si Mbreti Lir.
Endsh e endsh, e grat mos t’pastë!
Mbyllja - Pesha e Kuptimit
Hapja krijon përshtypjen e parë, e cila ndikon në nxitjen e përsonit me e lexua esenë ose jo. Mbyllja ka një efekt edhe mâ të madh. Ajo e len lexuesin me përshtypjen përfundimtare për të gjith tekstin. Tipikisht, mbyllja ndërtohet me apelin e pathosit në mendje. Këtu nuk âsht vendi me argumentua, me arsyetua, e me sjellë evidencë të ré, por me ndikua mbë ndjenjat e lexuesit. Mund të kihen parasysh udhzimet pasuese:
- Paraqitni shkurtimisht çashtjen që trajtuat në analizën a argumentin tuaj.
- Pranoni se sa thellë, ose cekët, e keni trajtuom çashtjen në fjalë.
- Reflektoni mbë atë që mbetet e paqartë.
- Konsideroni nëse çashtja që trajtuat në argumentin tuaj, mbetet ende një dilemë.
- Jepni një këshillë që lidhet me tezën e esesë.
- Mos moralizoni; nuk jeni as prind, as kryeplak, as prift.
As autori as analiza e poemës nuk e zgjidhin çashtjen thalbsore të tekstit. Lexuesi mbetet me një pyetje të pazgjidhun: A âsht detyrimi ndaj prindëve njëni prej aspekteve ajthore të burrnisë (kulturës) së personit shqiptar, apo jo? Por personazhi kryesor i poemës, Nana, nuk e pranon këtë dilemë. Ajo âsht a sigurtë se cila âsht detyra e fëmijës. Kjo sigurí tregohet me vlersimin që ajo u jep sjelljeve të vajzave: bekim ose namë, të cilat janë jo vetëm paqyrë e shpirtit të saj por edhe të traditës shqiptare. Megjithatë, për disa ky koncept mund të jetë ‘tepër i lashtë’.
Ne mund të analizojmë diksionin apo metrin e poezisë, por në fund, âsht pathosi i sa-krificës që mbetet në mendjen e lexuesit. Nama dhe bekimi i nanës në vargjet e A. Sir-danit na kujtojnë një kod të lashtë e të pathyeshëm.
Teksti i Plotë
-Eja Marë, tu lokja i herë,
A shef flokët si më janë zhgatërrue?
Merre krahnin me m’i lmue
Se prej mejet të del urim.
-Jam tue endun, nanë, pëlhurë,
Nuk kam kohë me tret me tye,
Mos m’a çaj pra fort kët krye
Tue m’i dhanun punës vanim.
-Eh ti bi, qi zemrën më grine
Si kto fjalë me më thanun mrrinë?
Gjithmonë puna keq por të hastë
Endsh e endsh, e grat mos t’pastë!
-Eja, e dyta, em bi, si molla,
Po të thrret nana me u avitë,
Krahnit dorën tue ia njitë
Me flokë t’shprishum kshtu mos më len.
-U! Moj nanë, si met m’i more,
Kam qillue në darsëm o,
Me kcye më duhet, me knduemun o,
Gzimin në fyt o mos m’a xen!
Eh! Moj bi, të plaçin të dy syt,
Si ma lae të shprishun kryet,
Këndosh e këndosh e plaç fill në shpinë
Se me ba gjithkend m’u bindë!
-Eja, e vogla bi, si vera,
Me ato duer si mëndafsh lmue,
Eja e krehe si je msue
Nanën t’ande pa vanim’.
-Qe, moj nanë, ktu përanë teje,
Gjithherë gati un ndolla,
Due me të krehun fjolla, fjolla,
Ky për mue a i madhi gzim.
Kjo tue kreh e nana flet:
Sa të ket rruzlli dit e net,
Kjosh e ambla shujtë e të gjallve,
Kjosh e ndritshmja dritë e të parve.