Shqip
English
ARBANIKA

Dera

Transhumanca e veçantë e Lekeve

Një Rishpikje e Vetvetes

Fjala ‘transhumancë’ vjen prej rranjëve latine trans ‘përtej’ + humus ‘tokë, dhé’ + prapashtesës -ancë. Âsht e randsishëme me e kuptua këtë fjalë sepse ajo mund të keqkuptohet. Krahaso:

‘trans + humus + ance’ vs. ‘trans + human’
‘ndërrimi i dheut/tokës’ vs. ‘njeriu udhëtues’ (nomadi)

Fjala ‘transhumancë’ fjalë lidhet me konditat e tokës, indirektisht me stinët dhe klimën. Ata që aplikojnë këtë mënyrë jetese mund t’i mbajnë kafshët e tyne gjallë vetëm nëse toka prodhon ushqim të mjaftueshëm për to. Prejse ushqimi gjindet në natyrë, mjaftueshmënia e tij ndërron në dý mënyra, 1) sipas stinës, dhe 2) sipas klimës. Prandaj, barinjëve u duhet t’i sjellin tufat e tyne atje ku stinët dhe klima lejojnë rritjen e bimëve të përshtatëshme me ushqye kafshët e tyne.

Kjo mënyrë jetese gjindet në shum vende të botës, prej Spanjës e Francës deri në Azí. Ajo mund të jetë një formë pastoralizmi ose nomadizmi. Disa studjues e ndajnë atë në pes lloje:

  1. Pastoralizëm puro nomadik
  2. Pastoralizëm gjysëm-nomadik
  3. Pastoralizëm gjysëm i levizëshëm
  4. Pastoralizëm i largët
  5. Transhumancë stinore

Ata Lekë që praktikonin transhumancën i përkitnin grupit të pestë; nuk ishin nomadë. Sikur të ishin të tillë, ata do të udhëtonin përgjatë të gjith ballkanit dhe nuk do t’i blenin tokat e kullotat, por do të paguanin vetëm për përdorimin stinor të tyne. Nuk do të kishte as Rugovë, as Malsí të Madhe, as Nënshkodër.

Gjurmë Historike

Gjuhtarët që kanë studjuom Buzukun tregojnë që ai përdorte fjalë tipike të zonave të Ulqinit, p.sh., ‘vëlizë’ në vend të ‘lëvizë’ dhe fjalë tipike leke, p.sh., ‘me dhashë, dhashun’ në vend të ‘me dhanë, dhanun’. Duke u mbështetë në këto fakte, disa sish argumentjnë që Buzuku u pat rritun në një mjedis ku Lekët bashkjetonin me Krajanët. Kështu, indirektisht, mund të argumentohet që Lekët kanë së paku pes shekuj që praktikojnë transhumancën.

Zef Pllumi shkruan që ka pasun një marrveshje në mes Lekëve e Bushatlive, njënës prej familjeve që po përpiqej të merrte sundin e Shkodrës. Kërkesa ishte kjo: Lekët do të mësynin Shkodrën, ta pushtonin atë, dhe ta mbanin për aq kohë sa t’u nevojitej Bushatlive me përforcua sundin e tyne mbi këtë qytet. Shpërblimi i këtij veprimi, kryemja e të cilit do të shkaktonte humbjen e shum jetëve dhe shpenzimin e një pasunie të madhe, do të ishte a) me u dhanë Lekëve tokat e bregdetit të Adriatikut, prej në Durrës deri në Ulqin; dhe tokat në grykderdhjen e Bunës, Drinit, dhe Matit, dhe b) sunduesit otomanë nuk do t’ua ndërpritnin rrugën karavaneve Leke, të cilave do t’u duhej me kalua çdo stinë nëpër Lezhë, Shkodër, the zona të tjera urbane.

Këtë informacion Pllumi e pati marrun prej një shkrimi të një prifti italian. Fatkeqsisht, ai tekst ka humbun; me të edhe faktet e kësaj marrveshieje. Megjithate, në sosje të shekullit të 19të, gjendja e Lekëve ishte egzaktisht siç përshkruhet ajo prej Pllumit.

Transhumanca si Rishpikje e Vetetes

Që Lekët janë puntorë dhe kanë shpirt krijues, tregohet prej kthimit të ujtinave përgjatë bregut të Adriatikut në toka aq prodhuese saqë ata arritën me ndërtua një jetesë që të mos ia kishin lakmí kujt në Shqipní (M. Sirdani, E. Durham). Por transhumanca duhat pamë në kontekstin e historisë së Lekëve si popullsí. Nëse nuk ishte Kraja, ishte Rugova, nëse nuk ishin Vuthajt e Martinajt, ishte Sutjeli e Shen Gjergji; Velipoja, Torovica, ultsinat e Lezhes, ose Breg i Matit. Qartazi, përgjatë historisë së tyne, Lekët shtoheshin aq saqë toka nuk mund t’i ushqente, prandaj ata detyroheshin me emigrua diku tjetër.

Që kjo ishte rishpikje e vetvetes mund të inferohet prej faktit që fqinjët e Lekëve—sllavët, gegët, e muslimanët (sllavët e konvertuom)— megjithse në të njëjtat kushte, nuk e patën qartsinë mendore me ri-krijua një mënyrë kaq të favorëshme jetese. Në fakt, shum sish ishin krejt pranë këtyne vendeve, ndoshta për shekuj të tanë, por nuk u shkonte në mendje që ato ujtina bregdetare mund të ishin zgjidhja e varfnisë se tyne; ndoshta edhe e dinin, por ia përtonin punës. Kështu kthehemi te dý asertat e masipërme; Lekët janë jo vetëm popullsí me imagjinatë të pasun, por edhe mjaft puntorë. Në fakt njëna pa tjetrën nuk punojnë. Imagjinata që materializohet me vepra mbetet një andërr; andërr dite.

Transhumanca si Tjetërsuese e Shoqnisë

Imagjinoi ato familje Leke që praktikonin transhumancën. Duke mos qenë të lidhuna as me tokën as me fisin, ato jetonin në fqinjsí me boshnjakët, malazezët, serbët, krajanët, bregabuenasit, zadrimasit, kurbinasit, mirditasit, dhe banorët e Shqipnisë së Mesëme. Shum sish, p.sh., Cokajt e Sykajt, binin në kontakt me të gjitha këto popullsí brenda çdo viti. Prandaj, transhumanca u pati imponuom Lekëve jo vetëm me kuptua etnitë tjera por edhe me kuptua veçantitë e kulturës e karakterit të tyne. Duke e njohë veten si të veçantë, Lekët erdhën e u banë të kujdesëshëm ndaj njerëzve të jashtëm. Siç tregon informacioni i dy shekujve të fundit, ndërmartesat e lekëve me fqinjet e tyne pothuaj nuk egzistonin.

Kush e Praktikonte Transhumancën?

Ideja që të gjith Lekët praktikonin transhumancën âsht e pavërtetë. Sikur kjo të ishte e vërtetë, gjurmët e kësaj mënyre jetese do të gjindeshin edhe ndër rugovas, të cilët u patën shpërngulun prej Malsisë së Madhe vetë dy-treqind vjet mâ parë. Sikur kjo të ishte e vërtetë, barinjtë lekë do të udhëtonin prej në Thesalí në Kroací.

Transhumanca ishte një mënyrë jetese shum e kushtueshëme; familjes i kërkohej me blé me pare ari bjeshkën, trollin (në Alpe), dhe vërrinin. Prandaj, ajo praktikohej vetëm prej një numëri të vogël familjesh, të cilat ishin kryesisht prej Kelmendit dhe Shkrelit. Origjina e familjeve tregohet krejt qartazi prej origjinës së banorëve të bregut të Adriatikut; kelmendasit jetonin në mes të Lezhës e Durrësit, kurse shkrelasit në mes të Lezhës e Ulqinit. Kështu, ndërsa banorët në derdhje të Matit ishin kryesisht me origjinë prej Kelmendit, banorët në derdhje të Bunës ishin kryesisht prej Shkrelit.

Bogasit, Kelmend me fis, por me banim në krye të Shkrelit, mund të zenin vend kudo. Të parët e Derës së Kolec Lekës patën zanun vend në Sutjel të Ulqinit. Legjenda thotë që ata ishin shtat vëllazën me shtat kuaj shale. Por, siç thonin të parët e kësaj familieje, tuo u vrá me gjithfarë cubash e anadollakësh, gjashtë sish vdiqën. I fundit u kthye në Bogë dhe formoi linjën që mâ vonë u njoh si Dera a Kolec Lekës. Âsht e vështirë me i gjetë gjurmët e tyne, megjithatë, tradita mbeti. Kjo Derë u ri-ngrit prej shkrumit të vet, si me thanë, dhe qe e aftë me e praktikua transhumancën edhe një herë; para se bolshevikët t’i kolektivizonin tokat e bagëtinë. Në fillim të shekullit të njezetë, kjo Derë kishte bjeshkën në Diebz, truallin në Bogë, dhe vërrinin në Kamicë; afërsisht 100 dynym tokë. Gjithçka u përvetsua prej shtetit bolshevik; Koleci, i cili ishte Plak Ligji dhe një anti-komunist i vendosun, sëbashku me Flamurtarin e Bogës, Tom Gjierin, u burgos. Por kjo ishte kurrgjâ në krahasim me fatin e familjeve si ajo e Cokajve.

Sidoqoftë, po të ndërtonim një listë të familjeve që praktikonin transhumancën, do të mësonin dý gjana:

  1. Transhumanca praktikohej prej një numëri shum të vogël familjesh; jo vllaznish, as bashksish.
  2. Ata që praktikonin transhumancën i përkitnin rendit të Zotnive; ishin ndër mâ të pasunit ndër Lekë. Për qartsí, Lekët, të pasun a të varfën, nuk njihnin kand për sundues. Megjithatë, shoqnia e tyne ndahej në katër kasta:

Për qartsí, Lekët, të pasun a të varfën, nuk njihnin kand për sundues. Megjithatë, shoqnia e tyne ndahej në katër kasta:

  1. Paria: – Flamurtarët, Vojvodët, Pleqtë e Ligjit, dhe Gjobarët (ose çmuesit).
  2. Zotnitë: – familjet e pasuna
  3. Mjeshtrat: – mjeshtrat (gdhendësit e gurit e drunit, bamja e petkave, si xhubleta, kraholi, e tirqit, etj.).
  4. Vegjlia: – shumica e popullsisë

Trolli, Bjeshka, Vërrini

I vetmi ndryshim në mes të atyne që praktikonin transhumancën dhe të tjerëve ishte se transhumanistët kishin prona në trí vende:

Në bjeshkë: Fusha e kodra me bar në male mbi nivelin ku rriten pemët e egra.

Në lugina: Trolli dhe tokat e bukës

Në vërrí: Tokat në breg të Liqenit të Shkodrës, në derdhje të Bunës, Drinit, a Matit, dhe në breg të Adriatikut.

Ekonomia

Dikur, mund të ishte e nevojëshme me shitë bulmet e bagëtí me qëllim me blé drithë për vete e për bagëtitë, veçsisht me majmë thitë, të cilët i mbante çdo familje Leke, e pasun apo e varfën. Kjo situatë ishte problematike sepse kishte herë kur Buna, Drini, a Gjadri, përmbyste tokat e katundarëve dhe drithënat kalbeshin. Kështu, çmimi i drithit ngrihej përtaj mase. Në familjen tokë ka pasun një legjedë rreth një kohe të till. Thohej: “U ulshe ën Shkodër me i duoq pare e delshe me i duoq miell.”

Me mund të madh, herë-herë edhe me gjak, sepse cubat i lakmonin pasunisë së Lekëve, thamja e ujtinave dhe kultivimi i tokave mundsoi jo vetëm prodhimin e drithënave për vete e për kafshët por edhe për tregtí. Kështu, në kushtet e randa të pushtimit, kur shum familje rrezikoheshin me vdekë unit gjatë dimënave të ashpër, Lekët siguronin bulmet me bagëtitë e tyne, drithëna me tokat e tyne, dru zuarmi prej Alpeve, dhe i kalonin dimënat e ashpër në shtëpiat e tyne të nâlta e të nxehta, ku gjithçka mjaftonte.

Imagjinoje Shkodrën. Qarkullimi plotsisht i bllokuom. Delli sapo ka nisë me rá. Në jug të qytetit nisë me u çua pluhën. Pastaj dëgjohen lnikat (Çabej – kumbonë e vogël; ot. zile) , e pas tyne troket. Qentë e hekurave nisnin me lehë. Pastaj dëgjohet zhurma e thundrave, të vogla e të më dha, të ngadalëta e të shpejta. Të parët që hynin në qytet ishin prijësit e karavanit në kuaj shale, të armatosun me pushkë e pistoleta. Pas tyne vinte tufa e pafund a bagëtive. Anës së tufës, vinin barinjtë, tipikisht në kuaj shale, dhe të armatosun. Bagëtitë e imëta vendoseshin në fillim të karavanit, ndërsa bagëtitë e trasha pas tyne. Pastaj vinin kafshët e barrës, të ngarkuome me petka fjetieje, ushqime, ujë, e tambël per fëmijët. Fëmijët e vegjël mund të vendosehsin në kosha te ngarkuom në gomerë. Gratë, me dorën e majtë duke mbajtë qentë e hekurave, ndërsa dora e djathtë ‘endej’ kah postava ku ato fshehnin kurtíelat e pistoletat. Pas grave vinte rendi i fundit i mashkujve të armatosun; kambsorë ose në kuaj.

Përse ky tension kaq i madh? Lekët e shkonin mjaft mirë me shkodranët. Sipas të vjetërve: “Nuk i besohej turkut!”.

Çoja

Transhumanca kishte avantazhet dhe disavantazhet e veta. Duhej punë e madhe me mbarshtrua trí prona në trí vende të ndryshëme, dhe duhej me lëvizë shpesh; me tana plaçka. Nevoja me lëvizë pati çua në krijimin e një termi të veçantë për këtë veprimtarí, “çojë/a”. Me këtë fjalë nënkuptohej zgjimi dhe nisja për udhëtim qysh para se me dalë drita. Për shembull, fill pas perëndimit të diellit, sapo të niste muzgu, karavani ndalohej. S’pari u jepej ujë bagtive, pastaj ushqeheshn njerëzit. Këto veprime ndodhnin kaq shpejt saqë terri i zente të gjitha bagtitë duke pushua dhe të gjit njerëzit duke fjetë; përveç rojeve të armatosuna e qenëve të hekurave. Duke u udhzua prej Shenjëzave (Arushës së Madhe e të Vogël) dhe Hyllit të dritës, të cilat tregonin jo vetëm drejtimin por edhe kohën (para 200 vjetësh nuk kishte orë dore), niste zgjimi. Dëgjoheshin njerëzit duke i nxitë bagëtitë që të ngriheshin, pastaj thundrat e bagëtive duke shkua drejt ujit, dhe në fund fëmijët duke qá sepse ata nuk donin të zgjoheshin. Kush dëshironte hante mëngjez, pastaj niste udhëtimi; drejt zonave të ulëta ose Alpeve. I gjith ky proces quhej ‘çojë/a’Ajo nuk nënkuptonte thjeshtë me u ngritë. Çoja ka kuptim mobil. Me çua do të thotë me udhtua drejtë një pike. Edhe sot, po t’i pyesësh për dikë që ka ndërrua banesë, Lekët mund të përgjgjen: ‘Kanë çua.” domethanë janë largua prej këtu.

Kalimi nëpër Zona Urbane

1. Sipas Kol Berishajt, në kohë të ottomanëve, karavanet e Nënshkodrës paguanin taksë doganore me hý në Shkodër. Përtej qytetit ata u drejtoheshin bjeshkëve.

2. Kur Karavani kalonte nëpër Gucí, lajmoheshin njerzit, p.sh., “Prej të Diellë e t’Mërkurë tjetër çi t’vinë i javë, mos me lshua kush gja t’gjallë giat rrugës ka t’bien malsortë; del Malsia n’bjeshkë!”

Referencat

Sirdani, Marin, Kontribut për Historinë e Kulturën Shqiptare, Shtypshkronja Françskane, Shkodër, 2017

Berishaj, Kolë, Malësia e Madhe – Etnografi