Shqip
English
ARBANIKA

Baladat

Besa e Vllaut e Motrës
dhe Smira e Gruas

Lahutari: Zef Luca, Vërmosh

Mblodhi: Klement Miraj (HD 1938-44; Visaret KKL, Shtojcë, 19)


Dy jetima të vogjël kinë pa mbetë
Njari djal e tjetra vajzë
U kish dekë tata të mjerve, u kish dekë nana
Në mjerim të shuomit m’ishin rritë
Njari-tíetrit krahin tuo i dhanë
Ç’ka qitë motra ‘i ditë vllaut e i ka thanë:
Un nji punë, vlla, e kam mendua
Sa të jemë gjallë un kurr mos me u martua
Sa të jem gjallë û me tý me têjë.
Fjalën motrës vllau nirë m’ia ka dredhë:
Në mujsh ti besën motër me m’a dhanë
Në mujsh ti besën mirë me m’a mbajtë
Me i ruajtë nderin shpís e gjinís,
Me i ruajtë nderin tatës edhe nanës
Q’janë tuo u kalbun tash nen dhe të zi.
Me u ruajtë nderin vendit edhe mua
Fort mua qiefi kishte me m’u bâ
Braf në kambë motra kenka çua
Dorën vllaut ajo i a ka shterngua
Besën e Zotit vllaut mirë m’ia ka dhanë
Për të gjallë kurr mos me u martua,
Me i ruajtë nderin shpís e gjinís,
Me i ruajtë nderin tatës edhe nanës
Q’janë tuo u kalbun tash nen dhe të zi.
Me i ruajtë nderin vendit edhe atí
Fjalët e motërs vllán fort e kán gzua
Edhe ‘i besë aj motërs të mirë i a ep:
Besen e Zotit motër po t’a ap,
Paj në mujsh ti besën me m’a mbajtë
Kur prejë teje, motër, s’kam me u dá,
Kurr prejë zëmret un tye s’kam me të hjekë
Në vend të vllaut gjithmonë kam me të pasë.
***
‘J nuse të bukur motra i a ka zanë.
Sa shpejt vllán ajo m’a ka martua
Nji vjetë vllau me nuse ka têjë
Nji djalë të bukur Zoti i a ka falë,
Fort të mirë jetën po e kalojnë,
Kuj lakmíe aspak me i a pasun.
Sa smirzezë nusja ki pa kenë,
Në shpí kunatën s’mundet m’e durua
Mendon burrin prejë motret m’e dá
Mendon burrit menden me i a mbushë
Dikû larg të motrën me e martua
Çka ka qitë burrit po m’i thotë:
Aspak mirë, burrë, për né nuk âsht
Vajzën në shpíe, níer, kshtu me e mbajtë,
Vajza në shpie, pleh âsht për gjiní
Kurrkush vajzë në shpie nuk len.
Fort morë ban nji burrë vajz’ me i a gjetë
Kshtu i ruen nderin shpís edhe gjinís
Kshtu i ruen nderin tatës edhe nanës
Kshtu i ruen nderin motrës edhe vétit
Kurrkund veshin burri nuk i a ven,
Njaq fort motrën vllau qi p’e donte
Pa e pvetë motrën, kurrgjâ nuk punonte
Të tana fjalët motrës i a ndigjonte
Në vend të nji vllaut motrën e trajtonte.
‘I natë prej netësh nusja çka ka bâ?
Pa dalë drita heret m’ish kenë çua,
Marrë m’a kite nji thikë të prehtë në dorë
Shkallve tëposht në burg m’ish kenë ulë
Perpa e ndjemun burri as kunata
Thér m’a paska, heu kalin e shalës
Thellë në brî thikën tuo i a rrasë,
Coftë në tokë kali me ‘i herë rá.
Shkallve përpjét kadalë âsht kapë,
Në shtrat shaka me burrë prap ka rá.
Kur ka dalun njajo drita e bardhë
Paj’ prej shtratit nusja prap â çua
Mirë m’â veshë ajo mirë m’âsht mbathë,
Zjarmin në votër ajo m’a ka dhezë
Edhe në burg nusja m’âsht ulun
Gjân e gjallë kesh me e grazhdua
Heu, sa të madhe ajo ka bertitë,
Keq për né o burrë ç’na paska gjetë!
Shum të thaçë ti mua s’më ndigjove
Kqyr, ç’të kanë bamun miqt e sate motër
Ther t’a paskan heu kalin e shalës
Paj sa shpejt o burri i a ka dredhë:
Kjosha vetë, moj grua, paça motrën
Se mâ të mirë un kalin kam me e blé
Të tana fjalët motra në shtrat po i ndien
Vër me gojë e ngrata s’po ban,
Rrin tuo kja e mjera tuo lotua
Mirë p’e din ajo se ç’ka m’e gjetë
Kanë kaluemun trí dit e trí net,
Heret natën nusja prap â çua
A kadalas në burg ajo â ulë,
Në grasht të qeve nusja ka hí
Të dy qetë me thikë i ka therun,
Thelle në brî thikën tuo u a rrasun
Coftë në tokë qét me ‘i herë kanë ramun
Shkallve përpjetë kadalas âsht kapun
Në shtrat me burrë aty prap ka ramun,
Për pa e ndie burri as kunata.
Dalë ka drita dielli endè pa ramun,
Shpejt â veshun nusja shpejt â mbathun
Mâ ka dhezun zjarmin në votër,
Sa me të shpejt o në burg paska ramun
Kesh qétë ajo me i grazhdua
Nji brimë të madhe kuçka e ka bamun:
Çou, bre níer ti mos pritsh me u çua
Shum të thaç e ti mua s’më ndigjove
Ç’ të paskan bamun miqt e s’ate motër!
Therë na i paskan qetë e kularit
Fikë n’a e paskan né derën e shtëpisë
Ç’ka qitë burri me ‘i herë e i ka thanun?
Kjosha vetë, moj grua, paça motrën,
Se un mâ të mirë qét kam me i blemun
Motërzeza në shtrat mirë i ka tije,
Vër me gojë ajo aspak s’po ban.
Rrin tuo kjá e mjera tuo lotua
Mirë p’e din ajo ç’ka ka me e gjetun,
Por i vllau asaj gjâ s’i thotë.
Kanë kaluomun plot shtat ditë e net.
Kqyr shka bani prap gruaja smirzezë.
Heret natën prejë gjumit â çua
Marrë mâ ka një thikë të vogël në dorë
Djepin shaka prejë vedit e avitë,
Kryet djalit kadalë i a zblon,
Në të butë të krès thikën i a ka kûlë
Prap në të shtruome me ‘i herë â ulë e ra.
Kur ka nisun drita me dalë
Burrit të vet o ç’ka qitë e i ka thashë:
More níer , shum çudë jam tuo bâ
Sonte djali as ‘i herë s’ka kjajtë.
Ka marrë djepin prejë vetit e avitë
Kesh djalit gjî ajo me i dhanë,
Ka nisë shaka djalin me e zgidhë.
Heu, po të madhe gruaja ka bertitë:
Të plaçin syt , bre ty o burri êm.
Të thashin krahët bre tý si të kenkan thá,
Paj shum të thaç bre mua vesh s’ m’u bane ,
Ç’të paskan bamun miqt e sate motër
natën djalin heu n’a e paskan therë,
Thá na e pasken heu zemren e barkut.
Fikë n’a e paskan derën e shtëpisë
Njatë herë burri fort m’u ka ngushtua
Braf në kambë me njiherë â çua.
N’ odë të s’motërs me të shpejt â shkua
Sa me idhnim të së motrës i ka britun;
Çou, moj motër, ti kryet mos e çosh,
Në qafë paç vetin, motër edhe mua,
Un kshtu në shpí ty mâ s’mund të duroj.
Pra shpejt gati ti o me u bâ,
Diku larg un tú dua me të çua
Aspak gojën vajza çilë s’e ka.
Paj sa shpejt ajo gati â bâ
Në burg të kalit vllau shpejt ka rá,
E shilon paj kalin mirë e mirë
E prej burgut kalin e ka xierrë
Në shpinë të kalit djali edhe ka hipë
Në vithe të kalit motrën e ka vue
Fort për veti me ‘i rryp e shterngon
Për Breg të detit rrugën e ka marrë,
Në Randë të Hjedhun djali kur ka perrî
Nji vrap të rrebtë kalit dhanë i a ka
Ranën e zetë me ‘i herë e kalon.
Në buzë të detit djali kur ka perrî
Kalin në not aj me ‘i herë e ka lshua,
thellë në detë djali kur ka hî,
Në nji sukë të vogël aty më kenka kapë.
Kurrgjâ të njomë Zoti më tâ s’kish falë,
Shkamb i gjall heu po të tanë gerdhatë,
Suk ishte krejt rrethua me ujë,
Të dy prejë kalit me ‘i herë janë ulë
Moterzezën njaty m’a ka lanë,
Në shpinë të kalit djali prap ka hipë,
Kalin në not paj djali e ka lëshua
Në breg djali me ‘i herë â kapë
Ranën e zetë aj me të shpejt e kalon
Fill te shpija djali më kenka shkua,
Fort me qief aj nusen m’a ka gjetun,
Aspak kuvend aj me grua nuk ban
Idhtë si helmi djali në shpí po më rrin.
Don me hagër, buka nuk i shkon
bjen me fjetë, gjumi nuk e merr,
Aspak puna mbarë nuk i ecë.
As s’i bâhet me shokë me têjë.
Kështu kaluan shtat ditë e shtat net.
Motërzezën ku m’a kite lanë,
Disi mallin e sajë me e hjekë,
Sa shpejt sukën me sy e ka gjetë,
Në mjedis të sukës shef nji lâtë të madhe,
Vetë me veti djali paska folë:
Zot! çka âsht paj ajo lâtë e madhe?
^N’at sukë lâtën gjetë s’a kam,
As e gjeta as aty s’e laçë
Laçë nji sukë të thatë e të tanë gerdhatë.
Shpejt te shpia djali vrap ka shkua,
M’i ka kcye paj kalit në shpinë
Buzën e detit djali e ka mësy.
Në Randë të Hjedhun djali kur ka perrî
Ranën e zetë paj vrap edhe e kalon.
Kur ka perrî djali në buzë të detit
Në not kalin me ‘i herë e ka lshua,
Thellë në det djali kur ka hî,
Shpejt tu suka djali më kenka kapë;
Braf në tokë prej kalit âsht zdripë
Në nji birë gurit kalin e ka lidhë,
Shpejt te lâta djali më kenka shkua,
Nji mand te bukur Zoti e ki’ pa falë
Plot me manda lâta i’te mushë,
Ishin mandat ambël porsi mjalta,
Kur e sheh nji tjetër mrekullí
Në rranxë të mandit sheh nji krua të krít,
Në breg të kronit sheh nji tjetër çudë,
Sheh të motrën ndejun mbí nji gur,
Rubën syve vjaza e kishte ulë
Rrite vajza e ngrata tuo vajtua
Të keqen vetit e vllaut tuo ia ankua.
Aspak të vllán motra nuk e ka pa,
Dikur djali s’mujt mâ me u durua
Sýt përpjetë djali m’i ka çua
Edhe të madhe djali ka bertít:
Lum për ty, o ti o i miri Zot,
Mand e krua ti a falë m’i ké
Motrën t’eme gjallë ti me m’a ruajtë,
Turr nder kambë motërs m’i ka rá,
Më fal moter mua për çka kam bâ
Paj shum faj û i mjeri pasë nuk kam
Nuk paçë brengë un për kalin e shalës
Brengë nuk paçë un as për qé të kularit
Deka e djalit paj zemrën m’a plasi,
Gruaja e eme fajn m’a paska pasun,
Për krahsh motra vllán në kambë e ka çua
Ngryka ngrykas të dy janë shterngua
Të tanë me lot shoshojn tue e lagë,
Nji grimë të mirë njashtu të dy kanë têjë
Ç’ka qitë vllau moterës e i ka thashë
Çohëna, motër njetash në shpí të shkojm,
Çka qitë motra vllaut e i ka përgjegjë:
Shko, lum vllau, ty udha e mbarë të kjoftë,
Se un në shpí, vlla, nuk kam ç’ka bâj,
Se né nusja prap ka me na çartë.
Un prej sajë nuk mund të thom me u dá,
Për mua Zoti mjaft mirë ka mendua,
Në mujsh ka i herë ti ktu me ardhë me pa,
Dér mallin mua heu! me m’a hjekë.
Zoti të faltë ty, o vlla, ndo’i djalë
Me grua t’ande motin shndosh e shkosh.
Fjalët e motërs vllán fort e ngushtojn,
Edhe motërs â dredhë edhe i thotë;
Pe ti, zemren kshtu jé tuo m’a plasun?
Bé në Zotin motër jam tuo të bâ:
A ke ardhun me mua sot te shpíja
A se në det un njetash u mbya.
Njat’ herë motra mâ fjale bâ s’i ka.
Të dy në kalë me ‘i herë kán hipë,
Detit not njaty prap rá kanë,
Nuk vonuan në breg të dy kán dalë
Ranën e zetë me ‘i herë kalua e kanë
Fill te shpija të dy shndosh kan mberijtë
Kur e pau gruaja vejzën në shpí
Idhtë si helmi nusja u bâ.
Aspak burri me gojë nuk po i flet.
Mirë p’e din ajo çka do t’a gjêjë.
Lëshohet burri në tâ si bisha e malit,
Kapë m’a ka heu paj nusen për krahit
Turrit motra prej duerva m’ia xíerr.
Por hiç të vllán me e ndalë nuk po mundet.
Duart mbas shpine ai gruas ia ka lidhë.
Mirë e lyen me bitum me peshkve .
Në maje të krés nji gacë vû i a ka
Të tanë trupi ziarm me i herë ka marrë.
Flakë e madhe njaty qi m’a bâ
Për trí dit vendin e ka zhdritun.

Citimi

Mblodhi Klement Miraj. Prej https://arbanika.com/arkivi/shqip/ava/vetja/besa/besa-e-vellaut-e-motres.html.

Referencat

Klement Miraj, "Besa ne mes te vellaut e motres, Arbanika. From https://arbanika.com/arkivi/shqip/ava/vetja/besa/besa-e-vellaut-e-motres.html.