Vjetin qi kaloi patem botue në këtë të përkohëshme nji serí artikujsh (Hylli i Dritës, XIV, 1, f. 21-29; 2-3 f. 95-102; 4, f. 194) - mbi knotributin e Lekëve Nënshkodranë për indipendencën kombëtare.
Në lidhní me vepren patriotike të zhvillueme prej këtyne burrave bienë në sý ndër tjerë edhe disa Toptanë, të cilët, te thuesh periherë me ta u çuen peshë kundra regjimit të Turqve të Rí.
Por mbí kët themë e në këtë të përkohëshme, në mojin e frorit të këtij vjeti (H. D., 2., f. 102-119), i mirënjohuni kultuer i gjũhës shqipe, z. Zhpend Bardhi botoi nji artikull të gjatë, në të cilin, ku drejt e ku terthoras bjen në kundershtim me shka patem shkrue na.
Se do të botohej nji i tillë artikull na e dijtem porsa patem krye studimin në fjalë. Kryeredaktori i kësaj të perkohshme na lajmonte, si pjestarë të redaksjonit qi ishim, se nji bashkëpuntuer e kishte lutë t’i bãjte vend nji artikullit qi do të gatojte në proj të Toptanve qi kishin marrë pjesë n’at kryengritje. Na i thãmë se tuj kjẽnë qellimi i ynë të dalin sa mã në shesh e mã kjartë ndodhít historike t’onat, t’i ipej nji pergjegje afirmative. Se iu dha nji pergjegje e tillë e dishmon edhe Z. Shpend Bardhi vetë kur shkruen: “Por nuk mund t’a mbyll kët artikull pa i shfaqun botnisht të gjithë çëmimin e mira dijen t’ẽme Hyllit t’onë, qi, jo veç per të kënaqun nji bashkëpuntuer të tij, por sidomos, më pat lajmue, porsa ia bãna te njohun mendimin t’ẽm për këtë shkrim, se do t’a botonte me gëzim e kënaqësí të vërtetë.”
Nuk na e don hatri t’i biemë ndesh kuj e mã pak të polemizojmë me bashkëpuntorët t’onë e të vẽm në goje miqtë t’onë, por kur t’a lypë puna s’kemi shka bajm: Ãmicus Plato, magis ãmica veritas.
Me këto shkrime, Kritiku, don me bãm apologjinë e Toptanvet, e veçãnisht orvatet t’i shfajisin ata prej njaj njolle qi na e të tjerë ua këndojmë.
Për me ia dalë këtij qellimi në skãj, Zotnija e tij, herë me nji trajtë e herë me nji tjeter, perpiqet të provojë se na kemi shkrue jo me aq kujdes a njoftí faktesh, personash e rrethãnash, si edhe jo me aq objektivitet. Mirë po me gjithkëta nuk na bjen argumenta të mjaftueshem të na mbushin mendjen me ndrrue mendim per shka shkruem. Provë tjera duket se s’ká qyshse ai vetë shkruen: “Mbi rolin e Toptanvet në kryengritjen e 1912-s s’kãm çë shkruaj mã.”
"Me këto shkrime, Kritiku, don me bãm apologjinë e Toptanvet, e veçãnisht orvatet t’i shfajisin ata prej njaj njolle qi na e të tjerë ua këndojmë."
Tashti tuj pasë kjẽnë edhe na në gjendje të ndjekim rrjedhen e ngjarjeve në fjalë, si ka me u pá mã përtej, due me thãnë me u informue prej sa e sa vetve qi mueren pjesë aktive nder ato levisje, me pasë per doresh korespondenca në lidhní me ato ngjarje, e së mbrãmit me mujtë me konstatue de visu per disa sende qi pershkruejm, me heshtue në nji rasë të tillë na duket jo fryt moderacjoni por shẽj plozhtijet. Po i pergjegji pra per me krye nji detyrë kundrejt historís mã spari e masãndej kundrejt dishmorve e atdhetarve qi moren pjesë n’at kryengritje e mã në fund edhe kundrejt Z. Shpend Bardhit, i cili duket se kerkon objektivitetin e fakteve.
*****
Kritiku i ynë porsá difton ekspediten e Durrsit të vjetit 1912 e pjesmarrjen e Refik e Masar Be Toptanit si edhe vllavrasjen e Shjakut, kështu e motivon polemiken qi ká me né: “Shkaktarë të gjithë këtij kobi, P. Marin Sirdani, kallzon Refik e Masar Be Toptanin, qi paskãn tradhtue çashtje kombtare e shokët e vet. Jo veç këta, por as Avdi Beu nuk ãsht kursye nga vula e tradhtís prej Auktorit. Tash un, qi kãm marrë pjesë n’atë kryengritje bashkë me Toptanët jãm ne mendim të kundert me Auktorit. E mbasi dyve nga të paditunit u a ka mbyllun gojen vdeka per jetë, e ndiej veten të detyruem me i lãm prej ksaj njolle të shemtueme”.
Këtu para se të vẽhem me shkoqitë provat qi qet Artikullisti në proj të Toptanve per me i shfajisë prej njollës qi na e tjerë ua këndojm, po çekim ndonji send per skjarim të kësaj pike. Këta na duket të nevojshem jo vetem per të tregue se “dy të paditunit qi u ka mbyllun gojen vdeka per jetë” paten kohë me e lám veten prej asaj njolle te shemtueme , por mã fort per të diftue se na në komentin e ngjarjeve të ndodhuna n’ekspediten e Durrsit nuk u pshtetem vetem në gjasët e fakteve, si mund të kujtoj ndokush, por sidomos n’opinjonin publik t’asaj kohe të papergenjeshtruem.
Tuj lãnë m’ãnesh t’urrejtunën gazete sofjote (“Lirí e Shqipërisë”, 1 Shtatuer 1912, N. 5, f. 1-12 Tetuer, N. 57, f. 3) të çitueme prej nesh (H.D. XIV, 1938, f.100-1), e cila u a len të tãn fajin e disfatës së Durrsit të vjetit 1912 Toptanve, dhe D.N.N., dý vjet mbrapa, 1914, në romãnxin historik “Shkodra e rrethueme” fleti atij krahit; e në faqe 8-10 ky pershkruen punen e Kapidãn Ndue Gjonit e dishmín e Halil Agë Kërtushës po ashtu se e diftojm edhe na. Kështu, pohon edhe tradhtín e Toptanvet e qellimin e tyne me perkrahë partín liberale turke per t’ia mbërrĩjtun ãmbicjoneve të veta. Kaq sa per kronikë ase sá me vertetue se qyshë atëherë Toptanët dishin jo veç se shka perflitej per ta, por edhe se shka shkruhej botnisht.
Per të vertetue shka thomi nuk shofin nevojen të shpervilemi e të shfletsojm libra e fletore. Vetem prej shka ãsht botue në këtë të përkohëshme disá heresh na e merr mendja se mjafton per aq.
Vjetin 1932 nji bashkëpuntuer i vlerët i kësaj të perkohshmje (H. D. VIII, 11, f. 570) i nenshkruem me inicialet P.P., per pa-ãnsín e të cilit kujtoj se nuk dyshon as z. Shpend Bardhi, kështu e komentojte disfaten e Durrsit: “Nën njeket kuptim tradhtije (due me thãnë vrasen e Hasãn Rizás) kje marrë edhe msýmja e Durrsit, qi ndodhi nder ditt 14 e 16 gusht 1912, pak dit mbrapa se të niseshin per Kongres të Shkupit Avdi Beg Toptani, e Kap. Marka Gjoni, etj, qi mueren nji “memorãndum” fort me rãndsí, të shkruem prej Emz. Bumçit, Emz. Kolecit, e P. Gjergj Fishtës. Avdi Begu, tuj u nisë, kishte pasë lãnë të kushrĩnin, Reufik Beg Toptanin, porsi zẽvendës të vetin në Lidhje, qi ishte kẽnë bã ndermjet krahinave të Kurbĩnit, të Krues, të Tirãnës, etj., me malcorë të Gurzit e Bregut të Matës e me dymbdhet bajrakët e Mirditës; a kjo Lidhje mnd të thohet se shkoi me marue në Rrushkull, shi në fund t’Arzenit, bashkë me ato flije qi shtroi për dhé para kohet kjo tradhtí.
“Të shkuemt keq n’at msýme kje vũ krahas me atẽ të Kongresit të Shkupit, qi shkoi bosh masi fitoi partija liberale, e prãndej u perfol se shumica e vllazenve musulmãn, qi mueren pjesë në kryengritje t’atij vjetit, nuk luftuen per autonomí e aq mã pak per pãmvarsí t’Atdheut, por per ngallnim t’asajë parti”.
“Por, sido kjoft puna, na ia lãm historís per me dhãnë gjygjin mã të mrãmin mí kët pikë; e veç historija ka me na diftue në se ajo ndodhi prej se [Toptanët] nuk deshten me e ngrehë flãmurin në Durrës e mrapa në Tirãnë, ase prej paurtís së malsorve, sikur kje thãnë, a ndoshta edhe prej ktyne dy shkaqeve zbashkut; por fakti ãsht se q’atë herë e mrapa filloi me hĩ nji dasí morale, qi jo veç e shtoi pabesimin ndermjet dy elementave, por edhe fashiti çdo entuzjazem per kah lvisjet komtare, per në mos daçim me thãnë se edhe pushoi krejt me nji hekatombë vllavrasjesh në Rrushkull, masi n’at ndeshje edhe prej ãnës kundershtare meten tetë të dekun e kater të varruem.
̶“Kot më drejtote Emz. Serreqi, Argjipeshkvi i Shkodres dý letra të gjata, njãnën me datë 24 Gusht e tjetren me 5 Shtatuer, shkrue me lot gjakut, tuj ãnkue ata, qi kishin metë në Rrushkull nder të cilat më porositte me i lutë Cokajt e neper ta edhe tjerët qi mos me u prishë me Toptaj; si edhe kje kot mundi qi hoq aj burri i urtë Avdi Begu, qi u trazue aq fort kuer muer vesht shka kishte ndollë mas të nisunit të tij per Shkup, -- per me bashkue më nji zẽmrat per at idé të madhnueshme, qi i kishte pasë nzitë ne e parë me u çue në kryengritje. Por duket se kjo kryengritje kje edhe fillue keq, pá pasë nji progrãm të caktuem, e pa´ e diejt se shka dojshin me kerkue me tẽ.
Në rasen e të bartunit të kufomave të X deshmorvet t’asaj ekspeditë, mbas 25 vjetsh prej Bizet në Shkoder, nji bashkëpuntuer i njoftun i kësaj perkohshme me pseudonimin ‘Shkndija” nder tjera shkruente në këtë të përkohëshme edhe shka vijon.
“Në ketë kohë kishte nisë me u ndezë në gjith atdhetarët e vertetë dishiri per pãmvarsí të Shqipnís, e veç pritej dita me u skapullue prej ãnmikut katerqindvjeçár per me e pá të çuem në vend plotsisht kët dishir të gjallë atdhetarësh.
“Ndërkaq Kurbini, Kruja, Tirãna, etj. kishin bã nji Lidhje me Malsorë të Bregut të Matës, të Gurzit e me Bajrakë të Mirditës per me kẽnë gadi kurdoherë me i rá zbashkut ãnmikut të pergjithtë; prãndaj vlojshin pá dá kryengritjet kundra ushtrive të regullueme të Turkut herë më nji vend, herë më nji tjetër.
̶“Mjerisht veç kjo lidhje nuk e pat gjithnjaq të gjatë, perse, ndersa pjestarët mã të zgjedhunit e Lidhjes Adi Begu, Marka Gjoni, Dãn Hasãni, e nji shmicë bajraktarësh etj. shkojshin në Kongresin e Shkupit per me caktue se si me zjerrë pãmvarsí Shqipnís; mas pak ditsh nji tradhtí e msheftë pertrĩni hekatomben vllaznore të Rrushkullit, nsá malsorët e Bregut të Matës, ishin mã se të sigurtë se kishin me vedi të gjitha krahinat, qi mueren pjesë n’at Lidhje, pa ndryshim besimit as vllaznije.
“Dishiri qi me e pá tuj valvitë sá mã parë flãmurin kuq e zí në pyrgun historik të Durrsit, i shtyni kta fatosa malesh me u mbledhë me qinda, të shtrenguem m’armë, e me i rá Durrsit, të tãnë shpresë se do t’i kishin për vedi të gjith të beslidhunt; por mjerisht qellimin shẽjt, qi i shtýnte kto çeta spartãne me i rá turrshem ãnmikut, e shtypi e shgatrroi, e fashiti tradhtija e njaj pakice, qi nder ato ãna pat kurdohere mã të madhin influks: në vend qi me i ndẽjë besës së dhãnun, jo veç se nuk u mjaftoi me ndẽjë dorëjashtë, por shka ãsht mã zí u bãn me ãnmikun e katerqind vjetve, tuj grí e tuj coptue malcorët e ngratë, qi s’diejshn kuej me iu ruejtë mã parë, vllazënve të vet shqyptarë, a por ushtrís tyrke, qi kishin bã me e dyndë prej atyne krahinave (D.D., XIII, 1937, 7-8, f. 376-377).
̶“Nderkaq kjo vllavrasje e kobshme kjahej e vajtohej prej gjithkuej, ke ndodhë shi në njat kohë, në të cilen ndoshta mã fort se kurr mretnonte shpresa e nji librimit të gjithmarshem prej ãnmikut osmãnllí.
“Kemi nder tjera para sýsh edhe dý letra t’ Emz. Ják Serreqit, Argjipeshkvit të Shkodres, drejtue per P. Pál Dodaj, me 24 Gusht e me 5 Shatuer nder të cilat ãnkon i piklluem, flĩjet e pakohë të Rrushkullit.
̶“Në të paren,nder tjera, thotë këto fjalë: - “Para se të mérrshe letren e ndritshme t’Uejen, paçë ndie lajmin e zi mí malsorët e Bregut të Matës, qi ishin kẽnë tradhtue të ngratët m’at mndyrë. Ky lajm i zí na ka trushtue né të gjith, si për dekë të tyne të pakohë, si edhe mã teper per të trathtuem shi prej atyne, qi u kishin dhãnë besen me luftue me ta si vllazen. Tash po marr vesht edhe si nen zã se aj luftim njehet si nji e msýme cubash e bákqish...”
Në letrën e dytë, thotë edhe kta, nder tjera:
“Per sá i perket pyetjes, qi më bãn prej ãnës së Gjetos (Cokut) kishe me thãnë se nuk ãsht mirë me u shkëputë çiltas prej Bejlerve të Tirãnës pse kshtu kishte me u shtue edhe mã teper mnija; a kishte me u shumue edhe numri i ãnmiqve të tillë. Un kshilloj prá, mos me u shkputë sish, por njiherit edhe me u ndẽjë në beh. E fort mã teper tash qi ka ardhë edhe Esad Pasha, i cili duket se ka nji misjon të posaçem me malsorë... perse me të diftue të drejten, At i dashtun, duket se sod per sod na jemi braktisë prej të gjithve, deri prej kuej shpresojshim mã fort, masi edhe aj propozim i Berchtold-it ãsht tuj metë krejt platonik (H.D., XIII, 1937, 7-9, f. 376-379).
“Deka e të ngratit Llesh Nikë Dakës më ka mjerue mjaft; tuj këndue letren t’Uej lott më shkojshin rrkajë. Të ngratët malsorët e mij, tradhtue e flijue m’at mënyrë; perse do t’a dini, Át i Ndertë, so jo veç Qeverija, por edhe shum t’onët donë veç me na shtypë.”
N’u zgjatem nder këto çitime mos të çuditet lexuesi. Në çashtje të tilla, na e merr mendja, se skjarimet jãnë gjithmonë me dobi, pse a hjekin fare a së pakut pakojn keqmarrveshjet.
*****
Intelektuali kruetãnë thotë për né se na “kãn mungue elementat mã themelorë per me formue nji gjykim të drejt e objektiv permbi kryengritjen e 1912ës pergithsisht dhe posaçe mbĩ pjesen qi u perket Shqipnís së Mesëme, Mirditës, e Bregut të Matës.
Nji asertë e tillë na duket fare e pãmatun. E qe arsyeja perse.
Na qýsh në vjetin 1909 e deri 1917 kemi kjenë fãmullitár në Piashkash, flãmur i Ohrit, e per arsye të njoftuna prej eprorve na u deshte me u gjetun në vjetin 1912 tash e parë në Rrubig, qi ishte qender operacioni kundra Turkut. Prej atyhit patem rasen me vojtë disa herë edhe në Pëdhãnë, në Lezhë a në Laç-Sebaste (Kurbj). Nder këto vende u interesuem me u orientue sa mã mirë e me marrë shenjime mbi rrjedhen e zhvillimin e vertetë të levisjes kombëtare në rrethin e Lezhes. Mujtem pra qysh atëherë me u informue mirë mbi shka shkruem e me njoftë intus et in cute fuqín e aspiratat e Lekëve, të Mirditsve, të Zhubës së Lezhës, të Kurbinit e deri diku edhe të Toptanve, qi kur i qitëte puna ãndej pari bishn miq te na.
̶Të pështetun në shenjimet e marruna aso kohe e në skjarimet e marruna prej nierzve qi paten pjesë aktive nder ato luftime, zhvilluem vepren patriotike të Lekëve Nënshkodranë në studimin e syprithãnun.
Mbi kët pikë s’po shkojm mã gjatë. Lexuesit vetë munden me dá e na “kãn mungue, si thotë Kritiku, elementat mã themelorë per me formue nji gjykim të drejt e objektiv permbi kryengritjen e 1912-s” a por jo.
*****
Si pengim a pãmundsi të njaj tradhtije e poshtersijet kso dore Z. Shpend Bardhi vẽn per ballë atdhetarizmin e Toptanve. Na këtu nuk kemi qellim të pohojm a të mohojm atdhetarizmin e atyne zotnive, duem veç me diftue se Artikullisti i ynë nuk na tregon argumenta të mjaftueshem e të kjartë për të provue asertën e vet. Me thãnë se Refik e Masar Begu i trashiguen prej t’et, Seidit, ndiesit kombëtare perse ai u nenshkrue me kren tjerë në protestë të dergueme në Kongres të Berlinit, ãsht, kujtojmm, e tepert. Sa per aq kishin me mujt me na u krenue të gjith të bit e krenve të Shqipnís, kristjãn e muhãmedãn, pse të thuesh të tãnë e nenshkruen kat akt a ndonji facsimil n’at rasë.
̶Nuk na e tregon mirë mãndej as mergimin e Murat Begut. Me thãnë se u mergue per çashtje kombëtare pa e specifikue, si t’ishte ndodhi a njoftun prej gjithkuj, në nji diskusjon, mund të prãnohen vetëm për hater.
̶Se pse Toptanët në fjalë, Avdi Refik e Mazar Bé, e kãnë diftue në shum rasa atdhetarin e vet, jemi plotsisht të bindun. Me këta s‘duem me pergenjeshtrue shka kemi shkrue parãndej. Edhe atdhetarizmi duket se ka gradë. Kritiku ynë kështu i përshkruen malsorët: “... burra të dheut e atdhetarë në ballë të gjith popullit shqiptar”, por edhe “egoista e krenarë”. Tashti a ãsht e mundun qi edhe Toptanët me gjthse ishin “patriot’ t’ishin njiheri edhe “egoista e krenarë’. Admetue këta, mundet lelxuesi vetë me e marrë me mend se deri ku mund të shtyjn “egoizimi e krenija”.
I sigurtë Kritiku se na ka vũ perpara tuj na mohue kompetencen per formimin të nji gjykimi të drejtë mbi kryengritjen e 1912-s merr e shkruen se na kemi “çëmue teper nalt fuqin e Bregãmatasve”. Ai fuqín e gjẽjen e Bregãmatasve e pershkruen me këto fjalë: “Burra të fortë e patrioten sa t’i duesh malsorët e Bregut të Matës, por as numri as vendi i tyne nuk ishte i tillë qi të mundshin me krye nji punë të madhe, ata vetem në krye të vet, për lirí të Shqipnis”. Mãndej vijon e thotë “Madje pa 12 Bajrakët per siper e pa prefekturen e Durrsit per fund ata nuk mund të bãjshin kurrgjã.”
Per nji perfundim të tillë kishim me thãnë kemi arsye me u çuditë. Po Lãm m’anesh luftat qi bãn per lirí të Shqpynís, por sa shpejt paska qitë mendësh Zotnija e tij qeverin e pãmvarshme shqiptare të Lezhes të kryesueme prej Vllazenve Cokaj. Kjo qeveri pershĩte Lezhen e Shen Gjinin me rrethe, Zadrimen, Kurbinin, Arbënin, katundet e Buenes (Bregabuenën) e bregut të Drinit (Bregadrinen). Kah Shkodra mbërrĩjte deri ngjat gjytetit, a n’ãnë tjetër mbarojte m’Uj të Droes, Hãn të Lalgjit e breg të detit.
"...qeverin e pãmvarshme shqiptare të Lezhes të kryesueme prej Vllazenve Cokaj. Kjo qeveri pershĩte Lezhen e Shen Gjinin me rrethe, Zadrimen, Kurbinin, Arbënin, katundet e Buenes (Bregabuenën) e bregut të Drinit (Bregadrinen). Kah Shkodra mbërrĩjte deri ngjat gjytetit, a n’ãnë tjetër mbarojte m’Uj të Droes, Hãn të Lalgjit e breg të detit."
Para këtij fakti, i a lãm lexuesve t’a dajnë a ká a s‘ka arsye Z. Shpend Bardhi kur thotë se ““Madje pa 12 Bajrakët per siper e pa prefekturen e Durrsit per fund ata nuk mund të bãjshin kurrgjã.” Do theksue sidomos se jo veç se nuk paten ndihmen e dy krahinave në fjalë, por në kundërshtim me to mbajten at qeveri per nji kohë jo të shkurtë, e ja dorzuen vetëm Komisjonit Nderkombëtar.
*****
̶Per z. Shpend Bardhin mãndej kompliciteti i Hasãn Rizás në kryengritjen e 1912-s, bashkfjalimet e marrveshjet e tij me Dedë Cokun “jãnë krejt nji legendë e sendergjueme fillim e mbarim, pa kurrfarë themeli”.
Edhe këtu, në mos u rrẽjshim, Zotnija e tij ãsht ngutë e “don me pré lisin me nji të rãme.”
Ãsht e vertetë se tuj kjene ato perpjekje fare sekrete nuk kemi ku pshtetemi per posë në kallzimin e Dedë Cokut e në gjasë e rrethãna. Mirë po edhe vetem me këto, shpresojm se kemi me orientue lexuesit mbi gjasen e atyne marrëveshtjeve, e ashtu, në çashtjen t’onë, krejt sekrete, ka me mujt me u aplikue ajo thãnja popullore - Mã mirë gjasa e mirë se kapucari i keq.
Na per vedi nuk shohim arsye mos me i xãnë besë Dedë Cokut tuj kjenë nier i matun në fjalë e s’pat nevoj, si mund të kujtoj ndokush, me sendergjue at legendë per me u diftue se dishka ishte. Thomi këta për me u diftue atyne qi s’e dijn se Cokajt e ndonji tjeter nder Lekë të Bregut të Matës e të Gurzit nuk ia lẽjshin dalë në kurrnji pikpãmje, për posë për ẽmen, shum agallarve e beglerve të Shqypnis. Cokajt paten miq shpie nierz me rãndsi jo veç shqyptarë por edhe të huej. Të njoftunit albãnofila Baron Noptscha e Carl Steinmets bishin nder ta si në shpi të vet, e me ta bãn udhtime edhe neper Europë. Këta kishin të njohtun me konsujt e Austrís sidomos me Rappaport e Zembaur. Emzot Serreqin e kishin si babë, veprojshin mbas direktiveve qi epte ai, e kur s’mujshin me u marrë vesht, interpretojshin vullëndesen e tij. P. Pál Dodaj iu gjet fort me këshillë e ai mbajti të shumen e herës korespondencen sekrete të tyne. Me këta nuk due me thãnë se kishin hĩj mã në rrethin e diplomacís. Prite Zot. Diplomacis mezi i a dijten shpín nierzt e neltë të shtetit t’onë, jo mã malsorët e padijshem. Tashti, tuj kjẽnë punët kështu, a thue ãsht absurditet të besohet se Dedë Coku të két pasë të hijm edhe te Hasãn Rizaja, e ai të jét orvatë me e shfrytzue per qellime të partís së vet?
̶Sido kjoftë, na per vedi nuk i apim aq rãndsí as bashkëfjalimit as marrveshtjeve të Dedë Cokut me Hasãn Rizán, gjithni mbasi kemi hij në valle do të këcejm.
Po nisim pra me lallxue disá rrethãna qi në kallzim t’onë të perparshim s’na u duken të nevojshme me i rreshtue të marruna shi perj gojës së Dedë Cokut.
Ai kështu n’a diftoi mã se nji herë, në rasa e kohë të ndryshme, të hijmt e vet në lãmën politike.
“Në komisjonin e çmimit të dãmeve të shkaktueme prej ushtris turke në Malsí të Madhe kjeçë shenjue edhe vetë per Kelmend. Mbasi u krye ajo çashtje, tuj pasë gruen e ligë, u nisa me të neper Mal të Zi e vojta në Raguzë. Lãnë këtë në spital ku kishte mungeshë kushrinen t’eme, të bijnë e Gjetos, vijova per Vjenë. Aty u perpoqa me mikun t’em të hershmin z. Rappaport. Tuj rá fjala mbi gjẽjen e Shqipnís i diftova se Malsija ishte gjithnji e pshtjellueme. I thaçë mãndej edhe se në sá gjindeshim në Selcë me komisjonin e çmimit të dãmeve, më tokoi nji natë me bujtë me nji ysbash toskë. Nder tjera tuj folë me të per punë të Shqipnisë më tha qi po të kishim fatin me ardhë në Shkodër për vali nji farë Hasãn Rizajet, Shqipnís do t’i shkojte puna mbarë. Porsa mbarova së kallzuemit këta, z. Rappaport më diftoi se shì at ditë kishte pasë telegrafë prej Stãmbollet se ishte kjen i shenjuem ai per vali në Shkoder, e se me të do të mujshim me ndreqë shum punë.
̶“Ndẽja per do kohë të mirë n’Austri, e kur ktheva në Shqipnís, po çon Hasãn Rizaja me më thirrë. Un ke mendojshe se edhe me fjalët e bukura të Z. Rappaport mund të gjindeshem keq me të tuj m’a pasë marrë per të keq ndoshta të kaluemen t’eme neper Mal të Zi e ndẽjen t’eme në Vienë. Për nji kohë të gjatë ngurrova me i dalë perpara, sidomos mbasi kishe menden me dalë komitë per Shqipnís. Por per mos me bã ndonji hap para kohet, çoi e pëves mikun t’em Muho Begun, qi kishte të vllán zyrtar shtetit, e Emzot Serreqin, a mujshem me besue me u dukë para valisë së Shkodres. Ata më përgjegjen se mujshem me ardhë pa kurrfarë friget. Së vonova atëherë e vojta në Shkodër, e bujta te Muho Begu. Ne nesre u perpoqa me valín, e kuvenduem me të ashtu si e ké shtypë, mbas kallzimit t’ẽm, në Hyllin e Dritës.”
Dishka mbi kët kallzim e gjẽjm në “Notes” te shkruem prej P.P. e të botuem prej të njajtit në kët të përkohshme (H.D., XIII, 1937; 12, f. 584).
Aty ãsht shkrue:
“Kallmet 5-6-1912. -Shkoj per mik te Mns. Bumçi, qi ká kthye prej Shkodret. Nder sá sende tjera më difton:
1...
2. Se Dedë Coku, të mbrãmen herë qi kishte shkue në Vjenë kishte pasë të perpjekun me Z. Rappaport-in, adet i Ministris së Jashtëme, e kishte pasë vũ oroe se Austrija e shikjonte me sý të mirë kryengritjen e shqyptarve, e se nuk do t’a kursente ndihmen e vet po t’u orgãnizonte mirë.
“Grahjãni” - i kishte pasë thãnë Rappaport - e ndimat nuk kãnë me ju mungue.”
Zãmbaur, konsull i Austrís në Shkoder, kështu e mendojte levisjen shqyptare në mojin e Majit të vjetit 1912.
“Shkoder, 13-1-1912.
“Për shka i perket kryengritjes nuk m’u duk kundra e u diftue mjaft trazueshem perjashta per shka i perket elementit musulmãn qi s’kishte pasë luejt per së gjalli e se nuk ishte kenë gjã fjala qi kishte ndie se musulmãnt kishin bã çashtje të perbashkët me katolikë. U duk se s’kishte shpresë se mã vonë do të merrshin pjesë edhe musulmãnët tuj më folë mbi rãndsinë e kryengritjes. (H. D. XIII, 1937, 12, 581).”
Vrejta qi bãni Kritiku se ushtrija e Beratit, e Elbasãnit e e Tirãnës qi ishte perbãme prej reservistash e nuk ishte nen kompetencen e Hasãn Rizasë qi ishte komãndãnt i ushtrís së rregullt të Shkodres, ãsht me vend. Ka mujtë letas Dedë Coku me e marrë vesht keq, ase mã vonë tuj mbajt mend vetem shka i interesonte, e kujtue se ajo ushtrí mvarej prej tij e ashtu diftue edhe mue. Por mbasi, si thotë ai, se “komãndarët e kësaj fuqie rezerviste ishin Turq të Rí të Xhemjetit të fãmshem qi pelsitshin me gjetun shkak me shfry kundra nesh” pse nuk mund të besohet se tuj kjenë Hasãn Rizaj i partís liberale vertè e nxiti Deden me u çue peshë, perse ashtu shkojte tuj bjerrë fuqi Xhemjeti i Turqve të Rí e forcohej partija e tij. Fakti ãsht se Durrsi ishte aso kohe të thuesh e shprazun prej ushtrijet.
̶Për né, si thãm edhe parãndej, nuk ka rãndsí kompliciteti i Hasãn Rizás në kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, vetëm po deshtem me hetue shqyptarët qi per rreth tij me maskë të Shqyptarizmit luftuen per parti liberale. Gjithnji mbas Z. Shpend Bardhi e xen ‘nji legjendë e sendergjuem fillim e mbarim, pa kurrfarë themeli” po çitojm edhe ndonji shenjim të vogel t’asaj kohe.
Në “Notes” të P.P., të çekun edhe sypri, gjẽjm edhe këta:
“Rrubigu, E ẽjte, 1 gusht 1912 - ... Erdhen edhe Kapidãn Marka Gjoni me të nipin Llesh Ndue Gjonin e Marka Tucin... Mue e Mons. Bumçit na diftoi (Marka Gjoni) nji leter qi ai i drejtonte Konsullit t’Austris në Shkoder, në të cilen u ãnkojte se Konsulli nuk i kishte dergue kurrnji drejtim a këshillë mbasi qi ai vetë çiltas ka diftue pelqimin e kryengritje. Sa perse muer pjesë Kapidãn Marka Gjoni në kët kryengritje, duket se Valia i Shkodres, Hasãn Rizaja, nuk u muer aspak per të keq, perse ai, qi i perkitëte partis liberale, kundrojte në levisjen t’onë mã fort nji mjet të volitshem per me ndryllë partin e Turqve të R’í. Duket se edhe të marrunit pjesë të... nuk ka qellim tjeter veç me perulë fuqin e Turqve të Rí.”
̶Gjithnji në të njajten: “Notes” gjẽjm të shenjuem (H.D. VIII, 1932, 11, f. 571).
“Të shkuemt keq n’at të msýme kje vũ krahas me atë të Kongresit të Shkupit, qi shkoi bosh mbasi fitoi partija liberale, e prãndej u perfolë se shumica e vllazenve musulmãn qi mueren pjesë në kryengritje t’atij vjetit, nuk luftuen per autonomí e aq mã pak per pãmvarsi t’atdheut, por per ngallnim t’asaj parti.”
*****
Ndrrimi i gabinetit në Turkí me 22 korrik, prãnimi i armëpushimit të Kosovës e fillimi i marrëveshtjes ndermjet sish e Qeverís, nuk pat kurrfarë influksit nder Lekë. Atyne u ishte mbushë mendja se ai kongres në Shkup ishe mã s’fort per hair të partís liberale se per Shqipnís, prãndej as nuk mueren pjesë.
Mbas z. Shpend Bardhit, para se te niseshin per at kongres Kapidãn Marka Gjoni e Avdi Beu kishin pas lãnë këto porosí: “të mbahet armëpushimi me Qeverin, mos të perdoren armët kundra saj pá qenë të gallitun e të shtrenguem me i dalë zot vetes: çetat t’ona të mbajnë gjallë moralin e popullit ãntár, mos t’i cysin kundërshtarët por me fjalë e me vepra t’urta të perpiqen me bãm per vete sa mã shum qi të jét e mundun e të ruejn qetsin e vendit. Këto porosi kishin Refik e Masar Toptani prej të parit të tyne e kto edhe krenët e 12 Bajrakve të Kapidãnit. Kshtu ishin të lajmuem edhe krenët e Bregut të Matës.”
Parija e malsorve të Bregut të Matës, per sa kemi mujt me u informue nuk dijti gjã per ato porosí, per tjerët nuk jemi interesue m’e dijtë. Çudë e madhe veç se si me gjith ato porosí qi paskãn pasë Refiku e Masari u vullënduen me marrë pjesë n’at ekspeditë, edhe Kapiãn Ndue Gjoni me rrãndë në shãmatë me pësëdhet vetë. Jo mã pak çudë na duket edhe se bajrakët e Lezhes qi bãjshin pjesë me XII Bajrakët e Mirditës mbas nji apelit të Dedë Cokut e marrin mbrapa kundra porosís qi paskãn pasë prej Kapidãn Marka Gjonit. Pre né - durus est hic sermo...
***
̶Tuj shkrue mbi pjesmarrjen e Toptanve n’ekspediten e Durrsit patem thãnë se “mbasi u maten e u shmaten me shoqishojn krenët mueren vendim me msy Skelen e Durrsit e aty me ngrehë flãmurin kombëtar e me u deklarue autonoma... Dihej prej tëtãneve se ishte ky nji hap tjetër i guxueshem, por mbasi Toptanët e disá krenë tjerë i kishin sigurue se populli i atij krahit ishte i gatuem per nji levisje të përbahkët mjeft të mirrshin ata inicjativen, dán me ia hij të dile si të dilte”
Këto nxitje të Toptanve e të krenve tjerë për z. Sphend Bardhin “jãnë thjesht të shpifuna.”
Me folë të drejten këtu nuk jemi shprehë kjartas, prãndaj nuk kemi të drejtë të thomi se Zotnia i Tij na i ka marrë fjalët skalapurrĩj. Na kemi dashtë me thãnë se mbas lidhjes e marredhãnjeve me Toptanë e krenë tjerë ishin krenët e komitës moralisht të sigurtë se populli i atij krahit ishte i gatuem për nji levisje të përbashkët mjeft të mirrshin ata inicjativen. Se do të mirrej vesht n’at kuptim shifet kjartas prej shka thomi na vetë pak mã pertej se Toptanët “u vullnduen me marrë pjesë n’at akspeditë sbashkut me komitë.” Shka po të kishin marre vendim sebashkut s’ka vështrim.
Se sa vertetsí mund te kenë marrëveshjet e malsorve me Durrsakë n’at rasë ka me u pá mã pertej, këtu veç po na kãndet me çitue shka thotë Kritiku: “Malsorët, shkruen ai, u bãn bé (Toptanve) se kishin lajme të sigurta qi Durrsi ishte tue i pritun me krahë hapët e qi fé rreziku per to nuk shifej.”
Këtu duhet të vem oroe, per mos me i lãnë vend nenkuptimeve, se çëfarë lidhjet kishin ato çeta komite me shoqe-shoqen.
Siç dihet, ngjitas mbas Luftës se Bregut të Matës, Toptanët me disá krenë të Shqypnisë së Mesëme, Gjomarkajt me krenë të XII Bajrakve të Mirditës, Gjin Pjeter Pervizi me disá krenë të Krbinit, u lidhen me Lekët Nënshkodranë me luftue per liri të Shqypnis. Mjerisht fjala ‘liri’ mirrej gjithnduersh. Ata jo veç nuk kishin pika të përbashkta veprimi, por në disa pika ishn në kundërshtim me shoqishojn. Nji gjã qi i bashkojte të gjithë ishte - me i rá Turkut e mos me e lãnë me bã çarap.
Në sý të kësaj lidhje Lekët Nënshkodrakë, bajtën grá, fëmi e zhumlí në Mirditë, e burrnimi ndẽj me luftue në rrethin e Lezhës e të Shen Gjinit. Gjithkush e madhnojte vepren e tyne, e krenë e vogjli, pritshin t’u shtojte rrethi e t’a bãjshin të pakenun të mnishmen qeveri të Turqve të ri. Mbas këtij veshtrimi si u tha edhe sypri, do të mirret të nxitunit e Toptanve e krenve tjerë n’at rasë.
Të sigurt malsorët se nuk do të gjẽjshin pengim prej vendasve shkuen deri në Prez sbashkut me Toptanë pa u hĩj ferrë në kãmbë, e guxojm me thãnë, se po të vijojshin udhen m’at filli, pá u ndalue, ka të gjitha gjasët se flãmuri i Shqipnis do të valvitej në skele të Durrsit qysh n’at shteg.
Se shka do të bãhej mãndej kush po e din, veç malsorve u ishte bã mendia okë se ndonji shtet i huej do t’i perkrahte. Mundet me kjenë si mendon z. Shpend Bardhi, se u kishte pasë marrë mendët “ãndrra diplomatike... qi ata kishin pám diten per djéll;” gjithnji nuk kãm dyshim se ajo ngjarje do të bãjte buj ne tetãn europen, e ndoshta edhe çashtjes shqyptare i kishe dhãnë nji drejtim të rí.
Po spjegohemi. Komita shqyptare, siç u tha, jo veç nuk kishte pika të perbashkta veprimi, por në disá ishte edhe në kundershtim faqe. Nder të tjera ishte edhe çashtja e flãmurit kombëtar. Tuj marrë vetëm vilajetin e Shkodres komita në kët pikë ishte dá dýsh. Katolikët mbarë ishin per flãmur kombëtar në sá muhãmedãnët, edhe intelektualët, me ndonji perjashtim të vogel, ishin kundra. Arsyeja ishte pse vogjlís muhãmedãne nuk i mbushej kurrsesi mendja me ndrue flãmurin e Turkut “me hãnë e hyll”, me atë të Skãnderbegut “me sorrë”, si thohej atëherë në perbuzje. Nuk ãsht prãndej per t’u çuditë se si në gjith levizjen e Kosovës të vjetit 1912, per shka dijm na, mos të permendej çashtja e flãmurit. Se si Esad Pashë Toptani peruli flãmurin kombëtár me partin e vet në të tãnë Shqypnin, tuj perjashtue Shkodren, e vũni rishtas flãmurin e Turkut, ãsht e dijtun prej gjithkúj. Po theksojm veç se katolikeve të Shkodres i u desht me projtë flãmurin kombëtar me gjak kundra vllazenve muhãmedãnë.
Sa per kronikë po diftojm se kur kahë mbarimi i vjetit 1915 ushtrija malazeze ishte tuj u bajt a çetat shqyptare i ishin vũ në shpinë, flãmuri kombëtar ende nuk kqyrej me s’y të mirë. I flakti atdhetár, Bajrãm Curri, me çeten e vet u perpoq me çeten katolike të Nikajve e të Merturit në Qafë të Kolçit. Këtyne të mbrãmve u kishte prĩj, veshë e armatisë vendçe, frãnçeskãni Bernard Llupi me flãmur të Shqynís. Kúr u bashkuen dý çetat, Bajrãm Begu dán m’ãnesh Fratin e e lutë t’i vẽjshin në shpinë Malazezve pa flãmur Shqypniet most të pezmatohej halija. Thojte i ndjeri Bajrãm: “T’a lirojm vendin së huejsh e mãndej e ndertojm Shqypnin si t’a duem vetë, se me bã me dijt këta se na nuk duem Dauletin e flãmunrin e tij, nuk na vrasin me pushkë, por na mbysin me gur. Frati e pá t’arsyeshem këshillin e tij, e palue flãmurin e shtĩj në hejbe, e vijon të msymen.
Kundra perdorimit të flãmurit duket se kjenë edhe Toptanët, ndoshta per arsyet e çekuna sypri. Fakti ãsht se nji nder shkaqe perse krenët e komitës nuk paralajmuen shum kenin kje pse i xẽjshin kundra flãmurit, të cilin kishin dá me shkue e me e ngrehë në Durrës. Ded Coku deri qi u dán Toptanët në Prez e pat flãmurin në hejbe e mendojshin mos me u a permendë deri qi t’a ngrehshin në Durrcë, e atëherë, post factum, shpresojshin se edhe ata do t’a mirojshin at punë.
̶Mbi kët pikë kështũ e gjẽjm të shenjueme ne “Notes” të P.P. të permendun disa heresh në kët shkrim.
̶“Rrubig, 18 Gusht 1912.
“Llesh Nik Daka i varrosun keqas në Rrushkull ãsht bajt ktũ në kuvend kũ ai vetë ka dishrue me dek... Gjeto Coku ãsht me tè...
̶“T’onët mendojshin me ngrehë flãmurin kombëtar në Durrës, e mã se nji herë kãm ndie prej Gjeto Cokut se Toptanët ishin ãnkue per kët mendim të kryengritësve katolikë...”
Qellimin e malsorvet në kët të msyme e përmbledhë Kritiku me këto fjalë: “Malsorët kãn veprue thiesht në krye të vet e thiesht per egoizëm: qi t’i lavdonte bota per trimni e patriotizem, të thonte se malsorët bregãmatas pushtuãn Durrsin dhe vũn atje flãmurin e Shqipnís, si vllazent e tyne në Deçiq motmot para.”
Tëtãna këto munden me kjenë të verteta, por nuk do moue se ata dojshin me u deklarue autonoma tuj lypë prej Shteteve t’Europës të hĩshin në zbatim dymbdhetë pikat qi kishin kerkue vllazent e tyne të Mbishkodrës.
***
Qysh para se të vẽheshim me shtrĩj në shkrim kontributin e Lekëve Nënshkodranë per lirín kombëtare patëm marrë shenjime aty-këtu herë prej njãnit prej tjetrit, posë atyne qi kishim të shenjueme në kohën e atyne levisjeve. Mirpo mbasi na u mbush mendja t’a trajtojmë në vedi vepren e Lekëve Nënshkodranë e me e botue me rasen e 25 vjetorit të pãmvarsís kombëtare, per me u orientue edhe mã mirë, thirra ad hoc edhe tjera persona qi kishin marrë pjesë n’ato levizje. Nder ta mã në shẽnj jãnë Dedë Coku, Mark Miri e Zog Sokoli, vojvoda i Thethit. Tashti mbas kritikës qi na bãni Z. Shpend Bardhi, i perseritem rishtas keto kerkime. Do t’u falemi nderës këtu botnisht Z. Stefan Kaçulinit, Z. Pal Bulit e Z. Ymer Be Deliadhiasit per skjarimet qi na dhãnë mbi disa pika.
***
Tashti para se t’i apim fund kësaj polemike nuk na duket e kotë të kallzojm rishtas ekspediten e Durrsit të vjetit 1912, tuj u bazue mbi shka kemi mujtë me u orientue deri me këto hetimet e mbrãme.
̶Por tuj kjenë mirë me ndie të dý kumbonët, po ribotojmë perpara mendimin e Z. Kritikut, po ashtu si e bjen ai, fjalë për fjalë.
Mbas këtijajo ekspeditë u zhvillue si vijon:
“Mirë po si qe puna qi Refik e Masar Be Toptani prãnuen me shkue me Malsorët në Durrës e mbasãndej u kthyen prapë prej Rrushkullit?
“Kãm qenë larg shqenës s’asaj drãme. Por në bazë të hetimeve qi kãm bãmë si jãm kthye prej Kosove e t’elementave pozitivë qi kãm pasun në dorë qysh parandej, po i përgjigjem pyetjes qi bãna?
̶“T’u shpërndãmen porisít e avdi Beut e Marka Gjonit gjithkah ndër çetat t’ona e ndër ãntarët t’ãnë, dy beglerët kishin besue se kurrgjã në kundërshtim me to nuk do të noddhte kund. Edhe kështu e kishin shtrue per bukurí me fretnit bujarë të Kuvendit të Rrubigut në Malsí të Lezhës. Por kur na erdh nji lajm i papritun sa edhe i trembshëm! Malsorët bregãmatas, të bashkuem edhe me sá Kurbĩjas e Zhubas, po mblidhen për me mbësyme e... “me dhetuem” Durrsin. Ka sesi s’ka sesi, beglerët s’ia bãjnë dý fjalë, veç nisen teposhtë. Lajmi qi kishin marrë u vertetue te kisha e Milotit. Pikë së pari përpiqen t’ia mbushin mendjen gjindes se e kishin gabim. S’i ndigjon kush. Malsorët bajnë bé se kishin lajme të sigurta, qi Durrsi ishte tue i pritun me krahë të hapët e qi fé rrezuku per ta nuk shihej kund. Çë duhej të bajshin në këtë rasë ata dy zotní qi para popullit të gjithë qarkut të Durrsit barshin pergjegjsinë e asaj kryengritje si përfaqsues t’Avdi beut, si Toptanë ata vetë e si prisa të lëvisjes n’at vend? Nder çase kritike duhet gjak i ftohtë e mende e prehtë fort për me gjetun e caktue rrugën e drejtë. Asnjãnin nga dy beglerët t’ãnë se’ kishte pajisun natyra me këto dý vërtyte të nalta. Por edhe sod, mbas 26 vjeç e sá, edhe në dritën e gjith fakteve të ndodhuna, s’ãsht pun’ e lehtë me dhãnë nji gjykim të premë se si duhej të veprojshin ata n’at rasë. Prãndej s’ãsht e mundun, me dorë në zemër, as me i qortue as me i lavdue për udhën qi kãnë zgiedhun. Po konstatojmë vetëm faktin. Rruga mã e lehtë e mã pak komprmetuese për ta do të kishte qenë ndoshta me lãmë duert e me u kthye në Rrubik e me shkue ngjeti. Por kjo rrugë atyne s’u duket e urtë as patrijotike. Mendojmë se prãnija e tyne mund t’a ndalte nji vlla-vrasje qi kishin frikë se mund të ndodhte rrugës e në Durrës. E po t’arrjshin me e shti në dorë këtë qytet pa pushkë, me deshirin e popullit të vet, as Qeverrija nuk do të kishte shkak me e prishun armpushimin qi kishte shapallë vetë, sidomos kur kumita t’u sillte me nji farë urtije mbas sukcesi. Kështu dajnë me shkue. Sosin në Rrushkull. Këtu ndalen. Bien të gjith në godi m’u marrë vesht me parín e qytetit. Marrin e apin. “Dy Toptanvet u mbushet mendja plot se Durrsi nuk do të biente në dorë pa pushkë. Durrsakët s’e duen kumiten mbrẽnda, Qeverriín e kãnë frikë, nuk mund të prishen me tẽ, zemra i shtyn mã fort prej saj se prej kumitës, kjo edhe si të hyjë nji herë mbrenda nuk dihet se ça bãn, se si sillet. Shkurt, në Durrës, popull e Qeverri do t’a pruejnë qytetin me armë kundra kumitës . Atëherë? Me kthye dalë! Ndryshe ka m’u bãmë bolbë e madhe . Me sý në ballë e mend në krye s’i turret kush rrezikut . E pse mãndej? Por malsorët nuk binden. Durrsakët, thonë, nuk bajnë luftë. Qeveria fuqi s’ka në Durrës. Atje ku e ká, na s'po shkojmë me e ngallitun. Dy Toptanët tash dajnë me lãmë duert... Dahen e kthejnë. Vogjlija tronditet. Por “Ded Coku atëherë, shkruen, P. Marin Sirdani, si kryetár i asaj espedike, sillet kah ushtrija e i thotë: “Kuj mos t’i vijë marre me kthye prej luftet me pushkë të mbushun le të kthejë! e si ishte në shpinë të kalit e me flãmur kuq e zí në dorë drejtohet kah Durrci”.
̶Kështu e mendon Z. Kritiku, at ekspeditë. Nuk kemi këtu qellim me diftue se ku perkojm e ku jo me të. At kujdes ia lãm lexuesit. Na po e pershkruejm veç at ekspeditë mbas informatave mã të sigurta qi mujtem me pasë nder kerkimet e deritashme si e çekem edhe sypri.
Lekët Nënshkodranë të rrethit të Lezhes me luften e Bregut të Matës kishin ngrehë sýt e shumkuj. Pa kalue e treta ditë pas asaj lufte e qe ke vinë te kuvendi i Rrubigut, qi ishte bã qãndrra e perpjekjeve të komitës, Kapidãn Marka Gjoni me disá krenë të Mirditës, Masar Beg Totãni e Gjin Pjeter Pervizi me disá persona me rãndsí të Shqipnís së Mesëme, me u pergëzue me Cokaj e kryetarë tjerë per fitoren qi kishin pasë me Turk.
Të gjith këta, mbasi shndrruen mendim me shoqishojn, u lidhen me ta mos me i a dá të keqen Turkut deri qi mos t’u ipte Shqiptarëv lirín qi kerkojshin.
Kët endim të marrun i a komunikuen me shkrim Preng Pashës, Emzot Ják Serreqit e konsullit t’Austrís në Shkodrë neper dorë t’onë, tuj lypë në të edhe projtjen e tyne.
̶Këtu e mbrapa Lekët nuk ia dán pushken ushtrís turke: rruga Lezhë-Tirãnë u mbyll per nierz të shtetit.
Por krenve të Bregut të Matës e të Gurzit nuk u a mbushënin synin ato perpjekje per bashkim e ndeshje me ushtrí turke. U dukej se gjith veprimi i tyne po mbarojte në terr. Shifshin nevojen të bãhej nji hap prej të cilit të mirrte vesht jo vetëm Shqinija, por edhe Europa mbarë, se ku dojshin me dalë. Prãndej, mbasi u maten e u shmaten me shoqishojn, mueren vendim me msy skelen e Dursit e aty me ngrehë flãmurin kombëtar e me u deklarue autonoma në bazë të dymbëdhetë pikave të lypuna vjeten perpara prej vllazenve të tyne të Malsís.
Zgjodhen kët gjytet [Durrësin] e jo Lezhen e Shen Gjinin qi i kishin në dorë perse aty gjindej nji depo e mirë armësh e municjonesh qi kishin aq nevojë, e perse tuj kjenë skele me rãndsí e me perfaqsuesë shtetesh mbrendë bãhej mã bujë në boten e gjytetnueme. I rrẽte mendja edhe se me t’a pushtuemit at skele do të dilte ndonji shtet qi t'i mprojte.
Dihej prej tëtãnëve se ishte ky nji hap teper i guxueshëm, por në sý të lidhjes qi kishn me Toptaj e disa krenë të tjerë, besojshin se populli i atij krahit ishte i gatuem per nji levizje të perbashket mjaft qi të mirrshin ata iniciativën.
̶A patën gisht në kët ekspeditë edhe konsulli austriak i Shkodres e Hasãn Rizaja, vali i atij gjytetit, nuk mundemi me e pohue me sigurí tue kjenë marëveshtje sekrete e ndermjet ndonji personës me ta. Se shka mendojm per komplicitetin e Hasãn Rizás e kemi çfaqë, pa perpara, në faqen 239 (Kontribut); sá per konsullin na kemi thãnë se e “kumtuen” e jo si thotë Kritiku “u këshilluen”. Këndej kah na verbi “me kumtue” don me thãnë me lajmue me bã me dijt, në sa “me këshillue”, me lypë mendim, këshillë etj. Pra me gjithse e kãn kumtue kãnë mujt mos me i a dijt mendimin. Ata, per si difton Dedë Coku, nuk lypën këshillë, por kumtuen Emzot Serreqin me porosí të bãjte me dijt edhe konsullin.
Për sa kemi mujt me u informue, Lekët nuk paten kurrnji gjigje, s’pakut direkte, n’at ras, as prej Emzot Serreqit as prej konsullit t’Austrís. Kët gjykim na e perforcon shka gjãjm të shenjuem në “Notes” të sypripermendun qi po botojm këtu:
̶“Rrubig, 18 gusht 1912 - ... Gjeto Coku me të vllán Deden m’a vẽn barrë me informue Emzot Serreqin mbi ekspediten e Durrsit. Më porosisin mãndej me i çfaqë ãnkim qi kishin në të perse nuk kishin pasë dalë komitë, e kurrnji këshillë, e po kje se nuk mueren pjesë në kongresin e Shkupit, këta kishin ndodhë perse nuk kishin mujtë me i blé mendimin. Thonë edhe m’e pvetë a ishte i mendimit me i këputë a jo relacjonet me Beglerë të Tirãnës. Dishrojn me dijtë i cili ishte mendimi i konsullatës austriake në kët pikë. Lypin mãndej me diejtë a ishte mirë të marrin pjese në mbledhjen qi ishte sajue me u bã në Troshãn edhe po s’mueren pjesë Malsija e Madhe.”
Shestue punët kso dore lajmuen kë pãn me udhë ndër krenë e vogjlí. A u lajmuen edhe Toptanët e Gjomarkajt nuk mundemi me e pohue me të sigurtë.
̶Në “notes” të P.P., të çituem tash sá, e gjẽjm të shenjuem:
“Rubig, 11 Gusht 1912, - Bũjten këtũ në Kuvend Masar Be Totãni me sekretarin e vet Zef Harapin..., Kur lidhen besë me këto ãna premtuen se kishin për të çue peshë nja dý mi luftarë prej kraht te Tirãnes... Thotë se s‘kishte me u kursue me i a hij çëdo rrezikut me dyqind malsorë, mã parë se me mija...”
“Rubig, 12 Gusht 1912. - Masar begu len Rrubigun e drejtohet kahë Ishimi.”
“Rrubig, 13 Gusht 1912 - Dedë Coku me malsorë tjerë mã me rãndsí të Bregut të Matës e të Gurzit çojn nji apel Bajrakve të Lezhës qi të çojn sa mã shum luftarë qi të munden n’Ishem. Atje ata i presin me njiqind malsore, të dreituem me msy Durrsin.”
Tashti a vetëm per kombinacjon a po të lajmuem, shi në kët kohë Masari me sekretarine vet Zef Haprapin e Refiku, për të cilin nuk e dijm se ku bũjti at natë, u ulen prej Mirditet e u bashkuen me komitë në Milot. Kapidãn Ndue Gjoni rrãndi ndër ato dit me njiqind e pesdhetë Mirditash në ndihmë.
̶Prej njaj korrespondencet të pasun me Z. Ymer Be Deliadhiasit po xjerrim këta:
“... Kur Avdi Bej Toptani me shokë gjindej n’Orosh të Mirditës çon e thrret edhe mue me t’em vllá e shokë të shkonshim atje per me bã zgidhjen e delegetenve qi do t’u dergojshin në Kosovë në Kuvend. Mora lvlãn e shokë e u nisa per Orosh. Tuj kalue në Milot ndeshem në komiten e Bregut të Matës të kryesuem prej Gjeto e Dedë Cokut. Ndër fjalë të tjera Gjetja më tha se un nuk kãm punë në Kosovë, vetem të lutem qi të më leni dy djelm t’uejsh nga mã të mirët, se më duhen per pishtarë (prĩsa rruget). Dava aty dy djelm mã të zgjuet e të vjefshem, Dalip Lalen e Hãmza Elezin, e na tjerët u drejtuem per Orosh.”
Por po këthejm në kallximin t’onë të këputun per me skjarue çashtjen.
Shestue punët, si u tha sypri, porsa u bashkue nji ushtrí treqind vetshe te kisha e Milotit, gjysa Lekë e gjysa Kurbĩas e bajrakësh së Lezhes, u nisen me 12 gusht per Durrës. Pak para se t’u nisëshin ia mbërrijten prej Rrubigut Refik e Masa Bè Toptni me sekretarin e vet Zef Harapin. Edhe këta u vullënduen me marrë pjesë n’at ekspeditë sëbashkut me komitë.
Prej Milotit mbërrijten në nji ditë n’Ishem, prej kahit, n’e nesre në Prez, ku vendasit u qiten buken, e të zbardhmen drita vijojn rrugen pa gjetë kund farë kundërshtimit deri në Rrrushkull. Aty, mbas fjalve të Toptanve, zatesen, e fillojn me u marrë vesht me parí të Durrsit per dorzimin e gjytetit. Prej Durrsit u çohej komitës rregullisht ushqimi i mjaftueshem, e mendohej se gjyteti po dorzohej pa pushkë të shtĩme, por pũna duel krejt ndryshej. Të dy Toptanët, pa pritë pa kujtue, dahen prej komite e këthejn në Shiják . Akti i tyne bãni pershtypje të keqe n’ushtri e pushimi në Rrushkull u xũ per dredhí per me i lãnë kohë Durrsit me u gatue për qindresë .
Por megjithse shifej gadi prej të gjithve se deshtoi ajo ekspeditë, disave edhe nder krenë u kishte mbetë ende nji grime shprese. Komitës, mãndej, pergjithsisht, i vite mbarre me kthye dalë pa u ndie për së gjalli me gjith at rrugë të bãme. Dedë Coku atëherë, si krytár i asaj ekspedite, siellet kah ushtrija e i thotë: “Kuj mos t’i vij mbarre me këhtye prej luftet me pushkë të mbushun le të këthej”, e si ishte në shpinë të kalit me flãmur kuq e zi në dorë, drejtohet kah Durrsi. Fjala e tij mjaftoi me e marrë të gjith mbrapa, e m’at filli mbrrijten, pa gjetë farë pengimi, deri te Ura e Dejlãnit. Pa mbërrĩjt mirë te kjo urë u dalin para dy vetë: Mojzi Mojziu e Gjini i Zef Zogut, e u difuen se Mytesarifi i Durrsit kishte çilë depon e armëve e të municjonit e ua kishte dá mbarë popullit, deri Jevkve.
̶Kryetaret e komitës bãn se s’po i apin rãndsí atij lajmi e ushtria vijoi marshimin. Por Gjeto Coku i ep urdhen Mojs Mojsiut e Pál Bulit me marrë njiqind vetë me vedi per me dalë e me shtij në rreth gjytetin. Keta marrin at ushtrí e kpusin Gjolin, e dalë per mbrapa gjytetit kapin malin.
Ishte atëherë tuj prendue dita 15 Gusht, e ushtrija e kishte kalue Uren e Dejlãnit e po i avitej gjytetit. Kurqe po vlon pushka me furí të madhe, kështuqi komita kje shtrengue me u shtrij per dhe e me qindrue pá mujt me e shtý mã pertej.
̶Populli i Durrsit e i Kavajës i armatisun prej mytesaritit ishe bashkue me at pakicë ushtri qi kishte mbetë n’at gjytet e kishte dalë me shumicë të madhe në pritë.
U pá atëherë faqe tradhtija e u vertetue se populli i atij krahit nuk ishte kurrkund i gatuem per nji levizje të perbashkët.
Tuj e marrë me mend kryetarët e komitës se edhe po t’u pushtojte gjyteti pá shum gjak nuk do të mund të mbahej, mbas disá orë luftimi, neper terr të natës, dhãnë urdhen me kthëthye dalë.
Kje thãnë se prej ãnë së qevri paten mbetë shtatë vetë dekun e vorrue e prej komitës, at natë vetëm nji: Por me sigurí dihet se veç tre gjendarë e nji komitë.
̶Nji gjã qi rá në sý at ditë kje se Zef S. Harapi e Ceni i Sãnës, i vllau i Bazit të Sãnës, nuk i mueren mbrapa zotnitë e vet por komiten kãmbë për kãmbë.
̶Njaty kahë mjesnata edhe çeta e prĩme prej Mojs Mojsiut e Pál Bulit, të cilët kishin bã edhe ata pushkë me ãnterët e qeverís, tuj kujtue mbas flakave të pushkve se ushtrija kishte këthye dalë, lëshojn pritat, e kalue Gjolin, bashkohen me ushtrin tjetër në Shen Vlash.
Me 16 Gusht në nade u njeh ushtria e mungojte Llesh Lekë Miri, i nipi i Kolec Markut. Ky kishte pasë tretë rugen nãten e kishin pasë ndeshë dy zaptí, e e kishin pasë vrá në moh .
Shkaku i humbjes së Llesh Lekës, këtheu Kolec Marku me do shokë me e kerkue, e ashtu u dán prej ushtrijet që ishte nisë për Jubë.
Tuj këthye komita prej Durrsit, me zẽmer të derptueme për aktin e Toptanve, ishin shperndá çeta-çeta në sa çeta mã e zgjedhuna, e tyne, njizet vetshe, ishte tuj kalue Rrushkullin, ndeshë në nji pritë të shijakasve. Pushka krisi për gjith ãnë, e këta tuje e pá vedin të shkuem, pse të rrethuem gjithkah, u turren si luãj me shberthye nji báll me fuqí t’armve a me deke si burrat. Mbas ndonji ore prãni pushka e balli kje thye, por kishin pas mbetë katermbëdhetë shjakas e nãndë komitë e dy të varruem.
Të vrámt e të varruemt prej ãnës së komitës kjenë: Kolec Marku prej Triepshi; gjok Doda prej Shkrelit; Zef Harapi prej Shkodret; Tomë Xhuxhi e Gjek Marash Haka prej Vulklit; Prẽl Dëli shpendi prej Shalet; Marka Prend Dudi, Marka Per Zefi e Preng Nikollë Gjeçi prej Bulgrit. Dedë Coku u varrue por lehtas, nësa Llesh Nikë Daka muer disa varrë të forta e të rezikshme qi në pak dit i mueren jetën.
Mbas diftimit të Z. Ymer Bé Deliadhiasit kryetarë të çetës qi i vũn priten komitës kjenë Hasna Bé Dushku e Hysen Bé Matalla. Per sa mãn mend ky, mbeten të vrãm e të plagosun nja pesë vetë: Sul Deliu me do shokë.
Kështu deshtoi ajo ekspeditë e me tẽ e mbloi dheu edhe çëdo shpresë veprimi të perbashkët n’at krahinë. Se për ç’arsye mori fund aq keqas na e kemi diftue mendimin t’onë, prãndej ãsht e kotë t’a persrisim; po persrisim veç shka botoi në ketë perkohshme (1932, VIII, 11, f. 571) nji shkrimtar i cili ka mujt me dhãnë gjygjë mã mirë se kushdo tjeter pse tëtãnë kohen në rrymë t’atyne ngjarjeve.
“Të shkuemt keq n’at të msyme kje vũ krahas me atë të Kongresit të Shkupit, qi shkoi bosh mbasi fitoi partija liberale, e prãndej u perfol se shumica e vllazenve muslumãn, qi mueren pjesë në kryegritje t’atij vjetit, nuk luftuen per autonomí e aq mã pak per pãmvarsí, t’atdheut, por per ngallinm t'asaj parti.”
Por sido kjoftë puna, na i a lãm historís per me dhãnë gjygjin mã të mbrãmin mbĩ kët pikë; veç historija ka me na diftue në se ajo ndodhi prej se nuk deshten me ngrehë flãmurin në Durrës e mbrapa në Tirãnë, ase prej paurtís së malcorve, sikurse kje thãnë, a ndoshta prej këtyne dy shkaqeve zbashku; por fakti ãsht se q’at herë e mbrapa filloi me hĩj nji dasí morale, si, jo veç shtoi pabesimin ndermjet elementave, por edhe fashiti çdo entuziazem per kah levisjet komëtare, per në mos daçim me thãnë se edhe pushoi krejt me nji kekatombë vllavrasjesh në Rrushkull, mbasi n’at ndeshje edhe prej ãnës kundershtare mbeten tetë të dekun e kater të varruem... Por, duket se kjo kryengritje kje edhe fillue keq, pá pasë nji progrãm të caktuem, e pá diejt se shka dojshin me kerkue me tẽ.”
Komente e Shënime
Në vitet 1911-12, shumica e shqiptarëve, pavarsisht prej krahinës a fesë, andërronin një Shqipní të lirë, të bashkuome, e europjane. Por kishte edhe një tip tjetër shqiptari.