Tipikisht, në dramë ka monolog, dialog, soliloki (en. soliloquy), dhe mënjanë (en. aside).
Monologu
Personazhi dëgjohet personazhit ose personazheve. Monologu dramatik ligjrohet prej një personazhi para një ose disa personazhesh të tjerë, ku ligjruesi zbulon mendimet e ndjenjat e tij ose të saj në një mënyrë relativisht direkte. Edhe kur folësi mendon që ai âsht vetëm, por spektatorët vërejnë që dikush po e dëgjon, ligjrata quhet monolog sepse ajo dëgjohet prej të tjerëve; përndryshe, ajo do të quhej sololikí.
Monologu âsht një mjet karakterizues dyfish sepse, me anë të tij, karakterizohet personazhi që flet dhe personazhet që dëgjojnë; të cilët mund të ndodhen përballë ligjruesit ose të dëgjojnë fshehtazi.
Solilokia (en. soliloquy)
Personazhi dëgjohet prej spektatorëve. Solokia, një version special i monologut, quhet ligjrata e një personazhi të vetëm, në skenë, para spektatorëve, ose kur ky personazh mendon qëe âsht vetëm; dhe spektatorët nuk vërejnë që një a mâ shum personazhe po e dëgjojnë atë. Solikokia përdoret me i shfaqë audiencës ndjenjat dhe mendimet e folësit. E tillë âsht ligjrata e njohun e Hamletit ‘me qenë, a mos me qenë, ajo âsht çashtja’ (en. to be, or ot to be, that is the question). Të tilla janë ligjratat e Richardit të IIItë ku ai flet rreth planeve të tij të fshehta.
Prej perspektivës së personazhit, duke mendua që ai âsht vetëm, përsonazhi zbulon personalitetin e tij, bindjet e tij të thella, frikën, planet sekrete, ambicjet, e gjithçka që duhet t’u fshehet të tjerëve. Ky mjet dramatik përkon me monologun e brendëshëm të narrativit në novela e romane.
Solilokia âsht edhe një mjet karakterizimi jodirekt, sepse nëpërmjet gjuhës që përdorë ligjruesi, audienca mund të nxjerri konkluzionit e saj rreth personalitetit të tij ose të saj.
Mënjana (en. aside)
Këtu, fjala ‘mënjanë’ përdoret me kuptim të përafërt me ‘në njënën anë’; ndë anë të vetes, jo ndë anë të të tjerëve (afër, përbrî). Dobisimin i këtij mjeti dramatik kërkon që një përsonazh a) të flasi me vete, ku nuk e dëgjon kush, b) t’i flasi një personazhi në mënyrë sekrete, ose c) t’u flasi spektatorëve. Në latinisht kjo del ad spektatores ‘ndaj spektatorëve’.
Pavarsisht se kujt i drejtohet personazhi, mënjana dëgjohet prej audiencë; i jep audiencës informacion të fshehtë ose sekretiv, të cilin disa personazhe mund të mos e dinë. Kështu, audienca bahet pjestare e dramës sepse ajo din mâ shum se disa prej personazheve. Duke nda me audiencën diçka të thellë, personazhi gjithashtu zbulon cilsitë e karakterit të tij ose të saj, p.sh., në qoftë se personazhi deklaron që ai ka në mend të vjedhi diçka, audienca nxjerrë konkluzionin që ai âsht vjedhës.
Mënjanat janë të dobishme edhe me tregua cilët përsonazhe janë të lidhun me njëni-tjetrin sepse sekretet krijojnë aleanca. Ato, gjithashtu, tregojnë qëndrimin e folësve ndaj të tjerëve.
Dialogu
dia – përspjektazi, përkundër; logos – fjalë, me folë, me arsyetua, e të tjera. Kështu, fjala ‘dialog’ do të thotë ‘me folë përspjektazi me njëni-tjetrin’.
Në dialog ndodhë shkembimi i ideve, debatimi i argumenteve. Në dramë, dialogu shkakton nxitjen e komplotit drejt përfundimit, përpjekjen me zgjidhë konfliktin, zhvillimin e personazheve, dhe mbështetjen e ideve dhe temave.
Ndamja e kohës në skenë
Për disa, randsia e personazhit varet prej kohës që ai ose ajo gjindet në skenë, çka, tipikisht, lidhet me vargjet që i jepen një personazhi.
Mund të pyetet, përse disa personazhe flasin mâ shum se të tjerët, përse mâ shpesh, dhe përse atyne u jepen mâ shum mundsí me shpalosë idetë e tyne ma plotsisht e mâ qartazi. Për disa përgjigjia mund të jetë që disa personazhe kanë detyra më komplekse e mâ të randsishëme në lidhje me zhvillimin e temës së dramës; në lidhje me atë që autori dëshiron me thanë.
Stikomithia (en. Stichomythia - /ˌstikəˈmiTHēə/)
grc. στιχομυθία stikhomuthía ‘stikomythia’; ‘stikhos’ varg vjershe + ‘muthos’ ligjratë, âsht një mjet dramatik ose teatror ku aktorët argumentojnë, konkurojnë, ose tregojnë mospajtim me njëni-tjetrin.
A: Le t’ua marrim tokat të pasunve e t’ua japim ato të varfënve.
B: Pastaj t’ua marrim ato edhe atyne.
A: Të formojmë kooperativa ku të gjith janë njëlloj.
B: Njëlloj të varfën.
Reparteja (en. repartee)
Në gjuhën popullore, ky mjet dramatik njihet si ‘përgjigje e hollë, përgjigje me vend, kundërpërgjigje’ e të tjera. Tipikisht, ‘repartee’ quhet një përgjigje e shpejtë, e holle, dhe herë-herë komike. Veçsisht në komedí, kur ky aspekt i dialogut arrihet me sukses, ai tregon mjeshtrinë e thellë të shkrimtarit. Shpesh, përgjigje të tilla mbesin në kujtesën e lexuesve a spektatorëve.
Kur reparteja pendsohet me stikomythinë, reparteja âsht jo vetëm e thellë, por edhe argumentative.
Retorika, repartéja, dhe stikomithia
Repartje dhe stikomythia kanë natyrë bindëse ose ndikuese. Përgjigjet e kunderpërgjigjet e dialoguesve shërbehen mâ mirë me anë mjetesh retorike, si tropet: ironia, metafora, simileja, hiperbola, litota; skemat: paralelizmi, klimaksi, përsëritja; dhe figurat tingullore: aliteracioni, asonanca, konsonanca.
Heshtja
Një aspekt i randsishëm i komunikimit âsht edhe heshtja. Prej kendej vjen edhe shprehja ‘heshtja thotë mâ shum se fjalët’. Megjithatë, heshtja nuk duhet kuptua si mungesë ligjrate, por si mungesë reagimi. Për shembull, ndërsa një personazh kryen aktivitete dhe i flet një tjetri, ky i fundit vazhdon me lexua një libër në heshtje. Këtu heshtja nuk âsht heshtje; ajo âsht përgjigje.
Personazhi që nuk përgjigjet ose që nuk konkuron me fitua argumentin zdritë edhe cilsitë e veta edhe ato të kundërshtarit. Per shembull, ai mund të mos kundërshtojë sepse kundershtari âsht tepër arrogant; ose ai vetë âsht tepër i dobët.
Heshtja mund të tregojë jo vetëm njëfarë tensioni në mes dy personazheve, por edhe mungesë aftsie me komunikua; së paku njëni sish duhet të ketë vështirsí në komunikim, domethanë, mund të jetë i randuom prej emocionesh të thella. Por, heshtja mund të jetë edhe një tregues që, b.f., në një mardhanje në mes partnerëve s’ka mbetun gjâ me u thanë; heshtja âsht fundi i marrdhanjes. Në këtë situatë, atherë heshtja mund të shihet në dý mënyra: a) si trishtim përfudimtar, ose b) si hapje e mundsive të reja.